Policia e Tiranës ka vënë në pranga 48 vjeçaren Albana Ferraj e cila dyshohet se ka marrë 131 mijë euro për të favorizuar një kompani italiane në një tender të 2016-ës.
Njoftimi i policisë:
DVP Tiranë/Kontrolle të befasishme për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore.
Strukturat e DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive, kanë hartuar një plan masash në kuadër të të cilit janë zhvilluar kontrolle të befasishme në ambiente të ndryshme që mund të frekuentohen nga persona të shpallur në kërkim, me qëllim kapjen dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë penale.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2. kanë kapur shtetasen: – A. F., 48 vjeçe, banuese në Tiranë, e shpallur në kërkim pasi Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. 48-vjeçarja dyshohet se ka marrë shumën 131 mijë euro si rryshfet, për të favorizuar një kompani italiane, për një tender të zhvilluar në vitin 2016. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.