Policia e Elbasanit ka vënë në pranga 26 vjeçarin Nevzat Spaho. Ky shtetas ka kërcënuar dhe kanosur me armë zjarri një tjetër shtetas me qëllimin për ti marrë me forcë shumën prej 3000 eurosh.
Në cilësinë e provës materiale i janë sekuestruar shuma e parave prej 300 eurosh, dy telefona celular dhe automjeti që ky përdorte. Gjithashtu ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit”.
Njoftimi i policisë:
DVP Elbasan/Finalizohet si rezultat i një hetimi me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Shuma”.
Dhunoi fizikisht dhe kanosi me armë zjarri, një shtetas, për dhënien e 3000 eurove, vihet në pranga 26-vjeçari.
Sekuestrohet automjeti që përdorte ky shtetas dhe 2 aparate celulare.
Strukturat hetimore dhe operacionale të DVP Elbasan, të mbështetura nga inteligjenca informative dhe si rezultat i provave të siguruara nga një hetim i ndjekur intensivisht dhe me metoda speciale proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Shuma”.
Si rezultat i këtij operacioni, u kap dhe u ndalua shtetasi N. S., 26 vjeç, banues në Prrenjas, ndaj të cilit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, me vendimin e datës 22.12.2022, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit”.
Nga provat e siguruara si rezultat i hetimit me metoda proaktive, ka rezultuar se shtetasi N. S. ka shtrënguar duke e dhunuar fizikisht, si dhe ka kanosur me armë zjarri, një shtetas, për dhënien e një shume parash prej 3000 eurosh.
Në cilësinë e provës materiale, 26-vjeçarit iu sekuestruan automjeti që përdorte dhe 2 aparate celulare.
Materiale procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.