Deputetja e PD-së Jorida Tabaku në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin diskutoi për dy pika: Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 55/2015 “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar” dhe për Projektligjin “Për disa shtesa në ligjin nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, i ndryshuar”.
Tabaku e filloi diskutimin mbi Ligjin i Investimeve Strategjike, një ligj që i ka përfunduar arsyet për të cilat është krijuar, një ligj anti-kushtetues dhe që është keqpërdorur.
“Në pjesën më të madhe të vendimeve mbi investitorët strategjik janë bërë abuzime. Ajo vuri në dukje dhe selektivitetin e qeverisë për dhënien e aseteve publike në mungesën e një gare, gjithashtu ky ligj nuk ka pasur ndikim në zonat ku duhet të kishte. Nuk duhet të jetë një privilegj që u jepet vetëm 10 personave dhe se ka dëmtuar rëndë konkurrencën”, tha ajo.
Gjithashtu znj.Tabaku përmend dhe rastin e portit të Durrësit dhe ndërtimeve të shumta që ndërtohen pa leje, vendime abuzive sipas saj, pasi nuk plotësohen kriteret për këto investime.
Ndërkohë në lidhje me Projektligjin “Për disa shtesa në ligjin nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, i ndryshuar” ajo u shprej se:
“Në 9-mujorin e 2022-shit sipërfaqja e dhënë në qytetin e Tiranës është 1.46 miliard metra katror. Është një shifër e jashtëzakonshme për potencialin që ka Tirana për popullsinë që ka Tirana por edhe për strukturën ekonomike qëë ne kemi. Është niveli më i lartë që ka qenë ndonjëherë në vite, ndërtimi është duke u rritur gjithmonë edhe më shumë prej rritjes së PBB-së nuk ka asgjë të keqe të ketë zgjerim natyral, po ky nuk është zgjerim natyral. Këtu sektor të cilët kanë mbajtur PBB deri vite më pare, sot nuk po ndërtohen më dhe interesat kriminal në këtë sektor e kanë prishur tregun, unë kam biseduar me Shoqatën e Ndërtuesve dhe gjatë Komisionit Hetimor dhe pas tij, bizneset tradicionale kanë dalë totalisht nga tregu, kanë ardhur investitor që nuk dihet kush janë, se që të japësh 140 leje me kompani të cilat nuk kanë burime financiare, sigurisht që ti e prish tregun dhe nga ana tjetër unë besoj që kjo që po ndodh me pastrimin e parave dhe me Shqipërinë të përfshirë në listën grit të pastrimit të parave, që do vazhdojë të mbetet në monitorim, si rezultat i burimeve të financimit për “Ndërtimin” “Lojërat e Fatit” dhe “Turizmin” duhet ta kishte ngritur këtë parlament dhe të vendoste një këmbanë alarmi.”