Nisma ‘Thurje’ ka depozituar në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve kërkesën për regjistrimin e forcës politike në zgjedhjet vendore të 14 majit.
Gjithashtu drejtuesit e Nismës do të dorëzojnë në KQZ edhe 12 mijë firmat mbështetëse që janë mbledhur në të gjithë Shqipërinë, për tu regjistruar në zgjedhje.
Në një prononcim për mediat, kreu i nismës “Thurje”, Endrit Shabani tha se ata kanë mbledhur 12 mijë firma si një kusht për regjistrimin e kësaj force politike.
Ai bëri të ditur se Nisma Thurje do të kandidojë vetëm për këshillat bashkiakë në disa bashki të vendit, pasi për kryetarë nuk kanë mbështetjen e mjaftueshme.
Shabani: Ne kemi sjellë, ndryshe nga partitë e vjetra, na është dashur të mbledhim 12 mijë firma në të gjithë Shqipërinë për t’u regjistruar në zgjedhje. Në Tiranë do garojmë për këshilla bashkiakë sepse mbështetja është e jashtëzakonshme, por jo e mjaftueshme për të fituar drejtimin e bashkisë.
Ne do shkojmë në këshillin bashkiak të Tiranës dhe këshillat bashkiakë të qyteteve të tjera kryesore, të Kukësit, të Korçës, të Lezhës, të Dibrës, të shkojmë për t’i ofruar një garanci që pavarësisht se çfarë premtimesh që do japin kandidatët për kryetarë bashkie, ne do jemi aty për të garantuar se këto premtime do mbahen.