Gjatë përkujtimit të 4 martirëve e demokracisë, të vrarë në 2 prill në Shkodër, Arben Broci, Bujar Bishanaku, Nazmi Kryeziu si dhe Besnik Ceka, kryetari i PD Sali Berisha në fjalën e tij, tha se sot i kujtojmë këta martirë, mjerisht në kushtet e një monizmi të plotë. Berisha deklaroi se sakrifica e martirëve të 2 prillit u shndërrua në një kushtrim për mbarë shqiptarët. Ai tha se ata u bënë dritë, për shqiptarët në rrugën e përmbysjes me votën e lirë më 22 mars të diktaturës komuniste, por se sot i nderojmë martirët e votës së lirë në kushtet e një monizmi të plotë.
Ndër të tjera Berisha u shpreh:
Berisha: Së pari unë dua të shpreh nderimin tim më të thellë për familjarët e të rënëve që janë sot midis nesh në këtë 32-vjetor të martirizimit të bijve të tyre.
Sot në zemrat tona dhe mendjet tona, bijtë tuaj janë dhe mbeten më të gjallë se kurrë. Ne përulemi sot me nderimin më të madh para sakrificës së tyre.
4 të rinjtë 32 vite më parë mbushën këtë shesh për të protestuar paqësisht për votën e lirë, për të protestuar kundër një diktature e cila me një akt barbar zgjodhi të kremtojë votën dhe zgjedhjet e rrëmbyera me një masakër që Shkodra nuk e kishte parë në histori. Në breshëritë e falangave terroriste ranë për t’u bërë të pavdekshëm martirët e 2 prillit, por edhe u plagosën 87 qytetarë të tjerë. Tanket, autoblindat e ushtrisë u derdhën në qytetin bastion të antikomunizmit, u derdhën mbi Shkodër, e cila qëndroi si epiqendra kryesore e antikomunizmit në Europë.Ajo shënoi gjithashtu një vetëvrasje të vërtetë për diktaturën komuniste në grahmat e fundit. Bota pa se kjo diktaturë nuk pajtohej me votën e lirë. Se për këtë diktaturë, opozitarët, ata që mendonin dhe votonin ndryshe ishin armiq për t’u vrarë. Sakrifica e martirëve të 2 prillit u shndërrua në një kushtrim për mbarë shqiptarët. Ata në fakt u bën dritë, shpirti i tyre u bë dritë për shqiptarët në rrugën e përmbysjes me votën e lirë më 22 mars të diktaturës komuniste. Ne sot i nderojmë martirët e votës së lirë pas 32 vitesh, por mjerisht i nderojmë në kushtet e një monizmi të plotë. I nderojmë në kushte të njëjta me ato që ekzistonin ditën që ata ranë për t’u bërë të pavdekshëm. Sot të gjitha pushtetet janë në dorën e një njeriu. Të gjitha liritë dhe të drejtat e qytetarëve të Shqipërisë janë në duart e një njeriu, i cili kontrollon çdo pushte dhe vendos për çdo votë.