Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka qëndruar gjatë ditës në Rashkë, fare pranë kufirit me Kosovën. Atje është takuar me serbë të Kosovës, ua ka prezantuar pesë konkluzione lidhur me dialogun, ndërkohë ka kërcënuar me hakmarrje ndaj Kosovës, si dhe ka vënë në pikëpyetje mbajtjen e zgjedhjeve në veri më 23 prill
Në Rashkë, vetëm pak kilometra nga Leposaviqi, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka takuar të enjten serbë nga Kosova dhe para tyre ka shpalosur pesë konkluzionet që i ka nxjerrë lidhur me dialogun.
Në takimin ku mori pjesë edhe kryeministrja Ana Bërnabiq e shefi i zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ai ka deklaruar se serbët e Kosovës janë të shqetësuar dhe të frikësuar.
Teksa fliste për konkluzionet, ai ka kërcënuar me hakmarrje ndaj Kosovës për, siç tha, moszbatim të marrëveshjes për targat.
“Kërkojmë reagim urgjent nga BE-ja, autoritetet e institucionet e tjera në botë, që institucionet e përkohshme në Prishtinë ta ndalin menjëherë shkeljen e marrëveshjes për targat dhe të lejojnë lirinë e plotë e të papenguar të lëvizjes për serbët, automjetet e të cilëve kanë targa të ligjshme e legjitime të Republikës së Serbisë…Nëse e refuzojnë një zgjidhje kompromisi që pengon lirinë e lëvizjes së serbëve dhe qytetarëve të tjerë që përdorin targa legjitime e të ligjshme të Republikës së Serbisë, pala serbe do të kundërpërgjigjet me masat e duhura për ta mbrojtur rendin kushtetues. Këto do të jenë masa politike”, ka thënë Vuçiq.
Ai ka përsëritur kërkesat për largim të njësiteve speciale të policisë nga veriu dhe për formim të Asociacionit. Ka thënë se Asociacioni duhet të formohet “ekskluzivisht në përputhje me marrëveshjet e arritura në Bruksel”.
“Asociacioni është parakusht absolut për të gjithë hapat e ardhshëm të dialogut, si dhe parakusht i kthimit të serbëve në institucione dhe çfarëdo aktiviteti politik… Policia shqiptare nga Prishtina – njësia speciale e tyre, janë të vendosura jashtëligjshëm në veri të Kosovës. Unë besoj se, pasuksesshëm, do ta kërkojmë tërheqjen e njësive të tyre”, ka deklaruar Vuçiq.
Dhjetë ditë para datës kur parashihen të mbahen zgjedhjet lokale në veri, Vuçiqi i ka vënë në pikëpyetje ato, duke thënë se ato janë zvarritje e kryeministrit Albin Kurti, për të mos e formuar Asociacionin.
Dy konkluzionet e fundit, sipas portalit Kossev, janë se Serbia nuk do ta kundërshtojë Listën Serbe, e cila nuk do të marrë pjesë në zgjedhje pa formim të Asociacionit dhe se ndihma financiare për serbët do të vazhdojë.
Tubimi me serbët u organizua pak ditë pasi një serb u plagos në veri. Dyshohet se ai u plagos nga një polic, tashmë i suspenduar.