Zëvendës ndihmës sekretari amerikan dhe i dërguari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në një intervistë për emisionin Top Story gjatë vizitës në Shqipëri është pyetur në lidhje me kandidatët “problematikë” të 14 majit.
Escobar tha se reagimet në lidhje me pastërtinë e tyre duhet të vijnë nga populli shqiptar dhe jo nga Amerika.
Më tej ai shtoi se marrëdhënia e SHBA-ve ka në fokus popullin e Shqipërisë dhe jo partitë apo ndonjë person në vecanti.
Grida Duma: Zgjedhjet vendore. Dje mesazhet tuaja, të gjitha vizitat dhe takimet tuaja që dolën në media ishin: kujdes me kandidatët me precedentë penalë në listat e partive politike. Nëse kemi ende disa nga këta kandidatë që nuk e respektojnë këtë, a do të ketë një reagim ndryshe, të fortë nga Shtetet e Bashkuara këtë herë?
Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Shiko, unë mendoj se të gjitha partitë politike kanë një detyrim ndaj njerëzve që të sigurohen që kandidatët të mos jenë të korruptuar, që ata të kenë në zemër interesat e njerëzve. Ne nuk jemi në gjendje të zgjedhim kandidatë apo anëtarë të partive politike. Marrëdhënia jonë me Shqipërinë është me popullin e Shqipërisë, jo me një parti dhe jo me një person. Pra, në këtë drejtim, kur pyet nëse do të ketë një reagim nga Shtetet e Bashkuara nëse partitë nuk janë të pastra, nëse kandidatët nuk i përmbushin standardet më të larta të antikorrupsionit dhe të gjitha standardet e tjera demokratike, reagimi duhet të vijë nga njerëzit, jo nga Shtetet e Bashkuara. Kjo është një punë për popullin e Shqipërisë, jo për Shtetet e Bashkuara.