Një ekzekutim mafioz ka tronditur sot Shëngjinin ku mbeti i vrarë biznesmeni Ardian Nikulaj, një njeri me një background të ndërthurur mes politikës, krimit dhe biznesit.
Nikulaj dyshohet se u ekzekutua nga dy persona brenda në lokalin e tij në pedonalen e Shëngjinit, ndërkohë që autorët kanë mundur që të largohen, me policinë që nuk ka rënë ende në gjurmët e tyre.
Burime bëjnë me dije se në vendin e ngjarjes kanë shkuar drejtuesit më të lartë të policisë së shtetit, si dhe kryebashkiaku socialist i Lezhës Pjerin Ndreu.
Ardian Nikulaj (Marku) ishte dhe kandidat për deputet nën siglën e PSD në zgjedhjet e vitit 2021, ku në formularin e dekriminalizimit kishte shënuar edhe disa dënime që kishte marrë në vite të shkuara. Edhe në këto zgjedhje që mbahen më 14 maj ishte kandidat për Këshillin Bashkiak.
Njoftimi i policisë për vrasjen:
Rreth orës 13:30, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri, në ambientet e lokalit të tij, shtetasi A. N. 50 vjeç, banues në Shëngjin.
Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.
Janë ngritur pika kontrolli dhe është rrethuar zona ku vijojnë kontrollet për kapjen e autorit/ve.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentin e plotë të ngjarjes.