Ish kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj në Lezhë paraditen e sotme, brenda lokalit të tij.
Me anë të një postimi në Facebook, Berisha tha se krimi ndodhi tre ditë pasi Edi Rama hapi fushatën në Lezhë dhe pasi viktima kishte bërë të qartë publikisht se ai ishte kundër kandidaturës së Rilindjes, Pjerin Ndreu.
Më tej ai theksoi se Nikulaj kishte dalë haptazi kundër aleancës Rama-Doshi dhe linjës zyrtare të partisë së tij.
Berisha shkruan se ditët e fundit Nikulaj ka marrë kërcënime të përsëritura nga mjedisi banditesk i kriminelëve elektoral Manja-Ndreu, drejtues (kapobanda) kryesore të Rilindjes për Qarkun e Lezhës.
Ish kryeministri e mbylli postimin e tij me një thirrje për drejtësi nga institucionet përkatëse, teksa shprehu ngushëllimet për familjen e të ndjerit.
Postimi i plotë i Berishës në Facebook:
Skuadra e pushkatimit nën mbrojtjen e qeverisë kryen ekzekutimin e radhës!
Të dashur miq, sot ditën për drekë u ekzekutua në lokalin e tij biznesmeni dhe eksponenti i PSD-së, ish-kandidat për deputet në zgjedhjet e 2021 dhe kandidat për këshilltar në këto zgjedhje, Ardian Nikulaj. Ky Krim i shëmtuar ndodh tre ditë pasi Edi Rama hapi fushatën në Lezhë dhe pasi viktima, i ndjeri Nikulaj, kishte bërë të qartë publikisht se ai ishte kundër kandidaturës së Rilindjes, Pjerin Ndreu, duke dalë kështu haptazi kundër aleancës Rama-Doshi dhe linjës zyrtare të partisë së tij. Ndërkohë mësohet se ditët e fundit ai ka marrë kërcënime të përsëritura nga mjedisi banditesk i kriminelëve elektoral Manja-Ndreu, drejtues (kapobanda) kryesore të Rilindjes për Qarkun e Lezhës.
Duke i shprehur ngushëllimet familjes së të ndjerit, PD dënon me ashpërsinë më të madhe ekzekutimin e politikanit lokal dhe biznesmenit Ardian Nikulaj si një akt të shëmtuar kriminal në fushatë elektorale dhe me sfond politik nga falangat e krimit të lidhura direkt me qeverinë.