Biznesmeni Ardian Nikulaj u ekzekutua mesditën e së mërkurës në ambjentet e lokalit të tij në vijën e parë të plazhit të Shëngjinit. Sipas pamjeve filmike të kamerës së sigurisë, atentatori ka hyrë i kamufluar me skafander motori, maskë covid dhe një jelek fostorishent, i ngjashëm me ato të policisë rrugore.
Ai ka qëndruar përballë 50-vjeçarit që konsumonte kafe dhe me një pistoletë dhe e ka qëlluar me 6 plumba, një prej të cilëve e ka kapur në ballë duke e lënë të vdekur në vend. Përballë në këmbë qëndron vjehrri i viktimës, i cili nuk ka marrë asnjë lëndim, teksa më herët u shpreh se nuk e kuptoi se nga erdhi atentatori.
Duket se vrasësi ka qenë i përgatitur për të mos shkaktuar dëme në lokal, por të qëllojë vetëm mbi shënjestrën. Më pas është larguar me ndihmën e bashkëpunëtorit në krim për t’u arratisur nga vendngjarja me një ‘Range Rover’ të zi me targa angleze.
Për të zbardhur ngjarjen, hetuesit janë përqendruar në dy pista; Hasmëria me fisin Palaj pasi në vitin 1999, Ardian Nikulajt i kanë vrarë vëllanë dhe disa vite më pas nga Palajt janë vrarë dy anëtarë të familjes.
Policia gjithashtu ka kryer kontrolle në banesat e familjes Palaj në Lezhë, por askush nuk është gjetur sepse anëtarët e kësaj familje ndodhen jashtë vendit prej disa vitesh dhe ky fakt konfirmohet nga TIMS.