Kandidati i koalicionit Bashkë Fitojmë për Tiranën, Belind Këlliçi i është përgjigjur akuzave të disa mediave pranë qeverisë, se nuk ka mbaruar shkollën e mesme në Shqipëri (ciklin e plotë), dhe ka falsifikuar dokumentet për pranimin në universitetin e Marylendit në SHBA.
Përmes zëdhënëses së fushatës, Silvi Bardhi, Këlliçi ka treguar përgjigjen e shkollës Harry Fultz për përfaqësuesin e PS-së Plarent Ndreca, ku thuhet se në kohën kur Këlliçi ka aplikuar në universitetin e Marylendit, është njohur shkolla e mesme 4 vjeçare edhe pse cikli i plotë ka qenë 5 vite.
Sipas përfaqësuesve të shkollës në fjalë, kjo praktikë është ndjekur dhe nga dhjetëra nxënës të tjerë, ndërsa Këlliçi ishte në mesin e atyre që kanë pasur mestaren më të lartë, 9.7.
“Kjo shkresë e Harri Fultz, tregon se Belind Këlliçi ka qënë nxënësi me mesataren 9.7 dhe nisur nga këto rezultate është zgjedhur dhe President i Këshillit Studentor ne vitin 2004.
Shkresa e shkollës, tregon se si në shumë raste të tjera, si një praktikë që e kanë ndjekur shumë nxënës për të vijuar studimet në SHBA, në Britani, apo Çeki, edhe në rastin e Belind Kelliçit, kjo ka ndodhur pas 4 viteve.
Procesi i pranimit në Universitetin shtetëror të Marylend-it, është shumë serioz.
Në Universitetin e Marylend-it, nuk ka asgjë të ngjashme me “Kinema Baldushkun” e Erjon Veliajt, dhe nuk blihet një pishë me 5 mijë euro.
Belind Kelliçi është pranuar, ka dhënë të gjitha provimet e standardizuara që kërkon procesi, ka marrë bursë, ka pasur rezultate të shkëlqyera, ka marrë 123 kredite, nga 120 që kërkon ligji atje, ka marrë medalje, është diplomuar me titullin “Summa Cum Laude” dhe është shpallur Studenti me mesataren më të lartë në diplomim.
Duke parë se njerëzit po reagojnë, se njerëzit e duan ndryshimin. Duke parë se nuk ka bilanc dhe se në 8 vite ka keqqeverisur dhe ka abuzuar me buxhetin më të madh që ka pasur ndonjëherë ndonjë bashki, Erjon Veliaj në këto kushte është gati të sulmojë edhe Shkollën “Harry Fultz”, edhe Universitetin e Marylend-it.
Asgjë nga këto nuk i shërbejnë qytetit dhe banorëve të Tiranës. Belind Këlliçi është i vendosur në rrugën e tij që sjell ndryshimin.
Eshtë i vendosur të realizojë projektin me 5 prioritetet kyçe që sjellin zbutjen e kostos së jetesës për qytetarët e Tiranës”, thuhet në deklarimin e Bardhit.