3 prej 6 personave të kërkuar nga policia shqiptare për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj, janë arrestuar në Angli.
Ata janë Edmond Haxhia, Stephen Hunt dhe Thomas Mithan.
Gjykata e ekstradimeve në Londër ka konfirmuar se ata do të dalin mesditën e sotme përpara kësaj gjykate për të vlerësuar masën e sigurisë.
Edmond Haxhia, Stephen Hunt dhe Thomas Mithan janë arrestuar në Londër përmes një operacioni të gjerë policor, një ditë pas marrjes së kërkesës nga Ministria e Drejtësisë e Shqipërisë.
Pasditen e djeshme një gjykatës i gatshëm në Londër i vlerësoi të ligjshme konform legjislacionit anglez urdhër-arrestet e lëshuara disa ditë më parë nga gjykata e Lezhës.
Mësohet se operacioni për kapjen e tyre është koordinuar nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Policinë Metropolitane angleze dhe agjencinë kundër krimit të organizuar, e njohur si FBI-ja angleze, NCA.
Në këtë seancë një prokuror anglez, i cili do të përfaqësojë shtetin shqiptar, do t’i lexojë gjykatës kërkesën e Shtetit Shqiptar se përse kërkohen këta persona.
Pritet që në vijim policia e shtetit të dalë me njoftim zyrtar për operacionin, ndërsa mbeten ende në kërkim shtetasi portugez që dyshohet se është ekzekutuesi, si dhe dy persona të tjerë.