Nga Armand Kullau
Ne jemi akuzuar shpesh si një kompani që mendon për të pasurit, jemi një qeveri që mendon për Oligarkët, etj etj, por vetëm Programi i Rindërtimit, pa llogaritur të tjerat, është prova më kokëfortë për të kundërtën”. Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama vitin e kaluar kur dorëzonte çelësat për shtëpitë e reja për banorët e Ndroqit, por pa dhënë një afat se kur do të marrin çelësat mbi 8 mijë familje që jetojnë me qira në qytetin e Durrësit.
Sikur të mos mjaftonin vonesat për këto familje, pavarësisht premtimeve të kryeministrit Rama, tendera me shifra stratosferike dhe me shkelje të rënda kanë shoqëruar këtë proces, duke bërë fitues të afërm të zyrtarëve të lartë, si në rastin e Bashkisë Durrës.
Çfarë ka ndodhur?
Skandali me konfliktin e interesit rezulton pikërisht në Durrës, bashkinë edhe me më shumë dëme nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Shkelja lidhet me tenderin “Rehabilitimi i infrastrukturës së rrjetit në zonën e Porto Romanos-Kënetë dhe sistemimin e rrjetit të ujrave të shiut në zonën urbane të qytetit të Durrësit Faza I”, i fituar nga grupi i kompanive “2T” shpk & “VELLEZERIT HYSA” shpk & “ADRIATIK” shpk me vlerë 18 milionë euro ose 1,9 miliardë lekë.
Sipas dokumentacionit kompania “ADRIATIK” shpk, ka si bashkëpronar Ardian Mustafaraj dhe Petrit Kovaçin me nga 50% të aksioneve. Ky i fundit është babai i Spartak Kovaçit, person i cili ka qënë drejtor i Ujësjellësit Durrës në kohën që ka fituar tenderin, institucion në varësi të bashkisë Durrës.
Spartak Kovaçi është emëruar në pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm në 2013 gjatë kohës që kryetar bashkie nga Partia Socialiste ka qënë Vangjush Dako dhe është larguar nga ky post në gusht të vitit të kaluar sipas Open Data Albania.
Pak ditë para dyvjetorit të tërmetit, në 26 tetor 2021, kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, çeli tenderin për rehabilitimin e infrastrukturës së rrjetit në zonën e Porto Romanos-Kënetë dhe sistemin e rrjetit të ujërave të shiut në pjesën urbane të Durrësit për fazën e parë.
Në tender mori pjesë bashkimi i kompanive “Vëllezërit Hysa” shpk & “2T” shpk & “ADRIATIK” shpk dhe kompania “Gjoka Konstruksion” shpk. Dyshimet për parregullsi nga ky tender kanë filluar me ofertat nga kompanitë pjesëmarrëse.Konsorciumi i kompanive ka fituar me ofertë sa 99.9% e fondit limit ndërsa oferta e “Gjoka Konstruksion” shpk ishte 2 milionë lekë më shumë se oferta e fituesve. Megjithatë problemi nuk janë gjurmët për tender fiktiv, por provat që faktojnë konfliktin e interesit.
Cfarë thotë ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit?
Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesave në Ushtrimin e Funksioneve Publike ndalon në mënyrë kategorike lidhjen e kontratave publike nga persona të lidhur me zyrtarin e lartë. Sipas nenit 21 të këtij ligji:
“Kur zyrtari është në funksionin e kryetarit a të nënkryetarit të bashkisë, komunës ose të këshillit të qarkut, të anëtarit të këshillit përkatës ose është zyrtar i nivelit të lartë drejtues të një njësie të qeverisjes vendore, sipas interpretimit të këtij termi në ligjet përkatëse, ndalimi sipas pikës 1 të këtij neni, për shkak të interesave privatë të zyrtarit, të përcaktuara në këtë pikë, zbatohet vetëm në lidhjen e kontratave, sipas rastit, me bashkinë, komunën ose këshillin e qarkut, ku zyrtari ushtron këto funksione. Ky ndalim zbatohet edhe kur palë në kontratë është një institucion publik, në varësi të kësaj njësie”
Konflikti i interesit është shtjelluar në mënyrë specifike tek dokumentat standarte të tenderit, ku nuk lejohet lidhja e kontratave publike me prindërit e zyrtarit të lartë, institucioni i të cilit ka qënë në varësi të Bashkisë Durrës.
Për të kuptuar rastin, “Fax News” kontaktoi avokatin Altin Goxhaj, duke i shpjeguar situatën dhe konfliktet e interesit për rastin në fjalë.
“Fakti që ju keni bërë këtë investigim kaq interesant që vërteton që babai i drejtorit të kompanisë më të madhe, kompanisë së Ujësjellësit që drejtohet nga Bashkia Durrës, kjo është një lojë e mbyllur. Po, këtu kemi të bëjmë me një konflikt interesi”, deklaroi avokati Goxhaj.
Goxhaj tha se ky është një rast tipik korrupsioni, për të cilin publiku duhet të ballafaqohet sa më shpejt, si dhe rasti të dërgohet në SPAK nga konkurrenca.
“Mjafton të lexosh ligjin e Parandalimit të Konfliktit të Interesit, mjafton të lexosh procedurat për prokurimet publike dhe e kupton që është një nga ato gjërat që bëjnë zhurmë, që krisin”, tha avokati.
Punimet nuk kanë përfunduar
Përveç rastit të konfliktit të interesit, projekti ka kaluar afatet e punimeve pasi duhet të kishte përfunduar janarin e kaluar. Vonesa me punimet e kanë kthyer qytetin historik në një qytet të arnuar nga projekte që mbivendosen mbi njëra-tjetrën.
Nga informacioni që morëm në terren zbuluam se kanalizimet në zonën e ish-Kënetës dhe Porto Romanos nuk kanë përfunduar. Madje segmente të ndryshme të kanaleve ishin të bllokuara nga ujërat e zeza, të cilat me rritjen e temperaturave rrezikojnë shëndetin e banorëve.
“Fax News” kontaktoi Bashkinë Durrës për punimet dhe institucioni deklaroi se punimet nuk kanë përfunduar për shkak te spostimit të një linje kryesore ujësjellësi dhe ndryshimit të pikës së lidhjes me energji elektrike. Të pyetur për përqindjen e realizimit të punimeve, për vendimet për ndryshimet e afateve dhe për kompanitë e nënkontraktuara, zyrtarët e kësaj bashkie nuk iu përgjigjën interesimit për këtë çështje.
Për të verifikuar deklaratat e Bashkisë Durrës, u kontaktua edhe Agjencia e Prokurimit Publik nëse kishte marra masa për rastin në fjalë dhe nëse kompanitë kishin marrë kompani nënkontraktore. Ky institucion deklaroi për “Fax News” se procedurat e prokurimit ndjekin rregullat e posaçme me aktet e miratuara të nxjerra nga prokurimi për fatkeqësitë natyrore, duke ia pasuar përgjigjen Ministrisë së Shtetit për Rindërtimin.
“Sa më sipër, pranë APP, nuk rezulton që Bashkia Durrës të ketë dërguar raportim për zbatimin e kontratës me objekt “Rehabilitimi i infrastrukturës së rrjetit në zonën e Porto Romanos-Kënetë dhe sistemimin e rrjetit të ujrave të shiut në zonën urbane të qytetit të Durrësit Faza I”, deklaroi APP-ja për “Fax News”.
Për të kuptuar më shumë, “Fax News” kërkoi informacion edhe pranë Operatorit të Sistemit të Transmetimit nëse kishin patur kërkesë nga bashkia dhe kompanitë private për ndryshimin e linjës së transmetimit.
Gjithashtu, në mungesë tëMinistrisë për Rindërtimin “Fax News” kontaktoi edhe zyrën e shtypit të numrit dy të qeverisë, Belinda Ballukut, lidhur me vonesat në projekt, por pa mundur të marrë përgjigje për këtë shqetësim.
Pagesat vazhdojnë, por punimet nuk respektojnë afatet
Në fjalën e saj në Kuvend në 30 mars, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, deklaroi se për vitin 2022 për Rindërtimin janë alokuar 29.1 miliard lekë dhe për vitin 2023 do alokoheshin 5 miliardë lekë. Nga këto fonde, 18 milionë euro ose rreth 7% janë të dedikuara për kontratën që Bashkia Durrës ka lidhur me babain e Drejtorit të Ujësjellësit Spartak Kovaçi dhe kompanive që janë pjesë e këtij konsorciumi.
“Me qëllim realizim me sa më pak kosto të këtij projekti, ne ndërmorrëm një tjetër nismë, atë të përjashtimit TVSH-së nga i gjithë procesi i rindërtimit dhe të gjitha furnizimeve të lidhura me rindërtimin Pra, produkti për rindërtimin, i porositur nga entet shtetërore apo strukturat e pushtetit lokal është përjashtuar nga 20 % i TVSH-së, çka nënkupton uljen e kostove të ndërtimit”, deklaronte ministrja Ibrahimaj.
Por zbritja e TVSH-së në këtë rast po fuqizon në mënyrë të padrejtë kompaninë “ADRIATIK” shpk, e cila përfiton zbritje duke u fuqizuar karshi kompanive të tjera që operojnë në tregun e ndërtimit.
Sipas Open Data Albania rezulton se bashkia ka bërë pagesën më të madhe ndaj këtyre kompanive me vlerë rreth 9 milionë euro. Gjithashtu bashkia ka bërë pagesa ndaj kompanive “HYDRO-ENG CONSULTING”, e cila ka fituar kontratën për mbikqyrjen e punimeve bashkë me kompanitë “ANGERBA” shpk dhe “INVICTUS” shpk.
Në linjë telefonike për “Fax News”, administratori i kompanisë “HYDRO-ENG CONSULTING”, Evis Qyrku deklaroi se projekti ka patur vonesa me punimet për shkak të procedurave të shpronësimit dhe nuk deklaroi se në cilën fazë ishin punimet.
Ndërkohë, administratori i kompanisë “ANGERBA”, Burhan Afizi, dhe administratori i kompanisë “Invictus” shpk refuzuan t’u përgjigjen pyetjeve për ecurinë e punimeve.
Për të verifikuar deklaratat e Bashkisë Durrës, “Fax News” kontaktoi me ekonomistin e kompanisë “Vëllezërit Hysa”, Elton Musta, i cili deklaroi se punimet janë vonuar për shkak të problemeve të pronësisë dhe vonesave në montimin e pajisjeve të hidrovoreve.
Musta shtoi se“vonesa ka patur edhe për shkak të terrenit, i cili paraqet vështirësi në punime për shkak të kohës me shira”. Ndërkohë që, përsa i përket përqindjes së realizimeve, ai tha se nuk kishte informacion specifik, por deklaroi se pjesa më e madhe e punimeve është realizuar.
Interesimi ynë nëse kjo firmë mund të na vendoste në dispozicion vendimin që miratonte zgjatjen dhe afatet e reja të kontratës nga Bashkia Durrës, mbeti pa përgjigje.
Ndërkohë, lidhur me të gjithë këto të dhëna, zëdhënësi i Bashkisë së Durrësit refuzoi tu përgjigjej pyetjeve nga “Fax News”.