Rigel Xhemollari nga Qëndresa Qytetare ka treguar se si ka shkuar monitorimi i fushatës dhe aktiviteteve që kanë kryer disa prej zyrtarëve, KQZ dhe institucionet hetimore. Xhemollari shprehet se sipas Kodit Zgjedhor zyrtarët e lartë nuk duhet të shprehin bindjet e tyre politike e aq më tepër të bëjnë thirrje. Rasti të cilin Xhemollari ka denoncuar është ai i Dallëndyshe Bicit, e cila pasi kaloi pa gjobë nga KQZ, KAS vendosi ditën e sotme ta shtojë në listën e të ndëshkuarve.
Sakaq, Xhemollari është ndalur për Rovena Nezirin dhe te aktiviteti i administratës, për të cilën thotë se janë çdo ditë në fushatë dhe nuk dihet nëse po e bëjnë punën e tyre. Sipas tij, ka një përdorim masiv të rrjeteve sociale të institucioneve, i burimeve publike, aseteve, shkollave, mjekëve.
Një tjetër problem shqetësues janë dhe gjobat e nivelit të ulët për zyrtarët e lartë të cilët bëjnë shkelje, megjithatë Xhemollari tregonte këtë vit ka pasur risi, duke qenë se KQZ ka trajtuar çështje dhe para zgjedhjeve, ndryshe nga vitet e tjera ku këto raste shiheshin pas përfundimit të zgjedhjeve.
Rigels Xhemollari: Ne prej katër muajsh kemi monitoruar përdorimin e burimeve shtetërore në fushatë zgjedhore, në këtë kontekst kemi vënë re që shumë zyra të institucioneve publike po vihen në dispozicion, të kandidatëve për kryetar bashkie. Zonja Bici ishte një ndër titullaret e larta, drejtoresha e kadastrës, ku edhe Kodi Zgjedhor shprehet që këta zyrtarë nuk duhet të jenë pjesëmarrës në aktivitete të ndaluara apo të shprehin bindjet e tyre politike, ose të bëjnë thirrje. Drejtoresha e kadastrës në krah të zotit Gjici, promovonte fushatën e PS-së, u bënte thirrje qytetarëve “kam ardhur këtu me bekimin e kryeministrit” thoshte ajo. Ne e evidentuam e çuam në KQZ, ku komisioneri rekomandoi gjobë vetëm për kryebashkiakun dhe drejtorët e shkollave dhe jo znj.Bici. Sot, ne ju drejtuam KAS të cilët shtuan në listën e të ndëshkuarve dhe znj.Bici, e cila sipas tyre dhe sipas kërkesës sonë është shkelëse e Kodit Zgjedhor.
Kjo ka qenë një ndër fushatat që kemi pasur 30 monitorues në terren dhe kemi kapur disa raste edhe më flagrante se ky rast. Kemi vënë në dijeni organet përkatëse në lidhje me këto raste.
Ajo që vihet re nga administrata publike, çdo ditë janë në fushatë. Shqetësimi ynë është a po bëhet puna. Parlamenti shqiptar ka 4 seanca që nuk po mblidhet dhe nuk ka miratuar asnjë ligj. Në 4 javë të mos mblidhen deputetët, por vetëm kur kërkojnë rritjen e pagës së tyre. Shumë mirë bëjnë fushatë për ata që mbështesin, por duhet të kryejnë dhe detyrat e tyre. Ka një përdorim masiv i rrjeteve sociale të institucioneve, i burimeve publike, aseteve, shkollave, mjekëve etj.
Ne i kemi rekomanduar Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore dhe ODIHR-it, që duhet të ketë një rritje të nivelit të gjobave, pasi një pjesë e tyre janë në një nivel qesharak. Janë gjobitur drejtorë të cilët më shumë u ka kushtuar karburant se sa gjoba. Kjo mund të demotivojë aktorët që denoncojnë, organizatat, qytetarët. Ka nevojë për një aktivizim të institucioneve penale, përveç rritjes së gjobave.
Mund t’ju kujtoj që edhe në zgjedhjet e 2021 dhe në zgjedhjet e pjesshme të 2022, asnjë prej çështjeve të denoncuara nuk është shqyrtuar para datës së zgjedhjeve. Thjesht kalojnë si çështje procedurale. Në këto zgjedhjeve për herë të parë po vihen gjoba para zgjedhjeve. Është një hap pozitiv. Çështje që do mbeten pas zgjedhjeve do të kenë një efekt më të ulët.