Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë në “Atlantic Council” në Washington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka bërë thirrje që procesi i dialogut të mos bjerë në kurthin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Në intervistën e dhenë të mërkurën, ajo e ka cilësuar tejet të rrezikshme qasjen “që në dialog të normalizohet Vuçiqi, ashtu që të duket si lider proevropian”.
Duke folur për dialogun, Osmani ka thënë se fillimisht duhet të dihet se me kë ka punë Kosova.
“Së pari, përderisa dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është tej mase i rëndësishëm, me synimin për njohje reciprokje, nocioni ‘normalizim raportesh’ po përdoret nga BE-ja për shkak të statusit neutral. Synimi është ‘normalizimi’, e procesi s’duhet të shfrytëzohet për ta normalizuar Vuçiqin që të duket si lider proevropiane, e që s’është. Le ta themi të vërtetën. Po përballemi me një autokrat”, ka thënë Osmani duke shtuar se Serbia është shtet që s’ka kërkuar kurrë falje për gjenocidin e se ngel e vetmja palë që duhet t’i bëhet thirrje për angazhim në dialog. “Janë gati 40 marrëveshje të arritura, e lista e shkeljeve të Serbisë është shumë, shumë e gjatë. Vetëm në javën e shkuar, kanë bërë tetë shkelje të marrëveshjeve të fundit”.
Ajo ka thënë se janë ekstremisht të rrezikshme përpjekjet që nga marrëveshjet e fundit fokusi të jetë tek Asociacioni i komunave me shumicë serbe, mbi çështjet tjera.
“Nuk duhet të biem në kurthin e Vuçiqit, që është që të shtyhet dhe zvarritet dialogu”, ka thënë Osmani.
Sa i përket drafstatutit të Ekipit Menaxhues për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, presidentja ka deklaruar ai ka qenë “model Republika Sërpska Plus”. Sipas saj, kjo tregon që Serbisë nuk i interesojnë të drejtat e komuniteteve, por synon ta ketë instrumentin për ta sfiduar shtetësinë e Kosovës. Osmani ka thënë se gjithçka duhet të niset me pikë fillestare Kushtetutën e Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin.
Ajo ka lavdëruar raportet e Kosovës me SHBA-në, ndërsa ka kërkuar përkrahjen politike për pranimin në NATO. Ka thënë se siç është vepruar me lejimin e Kosovës për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian, njëjtë duhet t’i mundësohet anëtarësimi në Partneritetin për Paqe, si paraanëtarësim në NATO. Osmani ka thënë se Kosova ka marrë garanci nga partnerët ndërkombëtarë se do ta mbështesin për anëtarësim në Partneritetin për Paqe dhe në NATO.
Ajo ka shtuar se duhet të ketë vëmendje të shtuar në Ballkan, pasi që “Serbia është satelit i Rusisë”./KOHA