Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj ka dhënë deklaratë për mediat pas votimit së bashku me bashkëshorten e tij Arjola Xoxën.
Veliaj, i cili rikandidon në këto zgjedhje ka bërë thirrje për pjesëmarrje në votime për të gjithë qytetarët, pavarësisht bindjes që mund të kenë.
Sa për ngërçin që kanë pasur pajisjet PEI, Veliaj shprehet se problemi është zgjidhur dhe i bën thirrje qytetarëve të cilët nuk mund të votonin për këtë arsye, të rikthehen në qendrat e votimit dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.
Veliaj: Shumë faleminderit të gjithëve, për kontributin dhe shërbimin. Jam në dijeni që kemi pasur disa avari, nuk do thosha dramatike. Më vjen mirë që në fund ka një vendimmarrje, identifikimi manual. Më vjen keq që qytetarët janë dekurajuar. Është shumë e rëndësishme që të dalin të gjithë për të votuar. Edhe ata që kishin probleme që në orët e para të mëngjesit të kthehen dhe të votojnë. Gara mbaroi, nesër rikthehemi si qytetarë. Lusim ata që janë në krye të procesit ta vazhdojnë me qetësi dhe të dalin faqebardhë. Këto muhabetet me Iranin, duhet pyetur ai kitaristi i famshëm. Të gjithë familjet e Tiranës, të dalin të votojnë pavarësisht bindjes së tyre. Aparaturat kanë probleme, po është rregulluar çdo ngërç që kemi pasur, pasi kemi kaluar në identifikimin manual.