Kreu i KQZ Ilirjan Celibashi ka dalë në një konferencë për mediat në lidhje me problematikat dhe ecurinë e votimit në Qendrat e Votimit.
Celibashi bëri të ditur se janë evidentuar 927 raste të tentativës së votimit të dyfishtë.
Celibashi tha se ka pasur denoncime për votim familjar në disa qendra dhe për intimidim të votuesve. Celibashi tha se në KQZ kanë mbërritur deri tani 29 denoncime nga subjektet zgjedhore por edhe nga qytetaret.
“Kemi disa informacione lidhur me denoncimet. Deri tani në KQZ, qoftë nëpërmjet platformës, janë 29 denoncime të paktën formalisht ose zyrtarisht të prezantuar në mënyrë formale. Janë bërë denoncime nga subjekte zgjedhore, 3 nga PS, 1 nga koalicioni Bashkë Fitojmë. Në dy raste janë bërë denoncime për kandidatin në Elbasan dhe kandidatin në Tiranë, për heshtjen zgjedhore. Janë edhe 24 denoncime nga qytetarë të ndryshëm, përgjithësisht bashki si Tirana, Elbasani, Kamza , Konispoli, Lezha, Peshkopia dhe Tropoja. Denoncimet lidhen kryesisht me parregullsi në ushtrimin e detyrës nga Komisionerë, ka ankesa. Në Dropull denoncimi lidhet me prishjen e pajisjes. Ka denoncime edhe me postime me përmbajtje elektorale në rrjete sociale. Dhe së fundmi denoncimet lidhen edhe me votime familjare, në disa bashki. Sa i përket procesit të identifikimit dhe pjesëmarrjes janë 998633 votues të cilët janë identifikuar nëpërmjet pajisjes së identifikimit, kjo për qendrat e votimit të cilat raportojnë përmes pajisjes elektronike të identifikimit.”- u shpreh Celibashi.