Ish-kryeministri Sali Berisha, njëherësh bashkëkryetar i koalicionit Bashkë Fitojmë për zgjedhjet e 14 Majit, nuk ka marrë sërish sot përgjegjësi për humbjen e opozitës, pasi sipas tij zgjedhjet janë manipuluar nga Rama, përmes parave dhe makinacioneve të tjera.
Berisha tha se ndërhyrjet në zgjedhje janë evidentuar edhe në raportin paraprak të OSBE-ODIHR, ndërsa shton se kjo duhet të ketë sot kryefjala e të gjitha mediave.
Sali Berisha:
Me këtë rast unë vlerësoj raportin e OSBE ODHIR, deklaratën e përfaqësuesve të PE që dëshmuan se zgjedhësit shqiptarë votuan nën presion dhe jo të lirë. Kjo është kryefjala e këtyre zgjedhjeve, ku me presione të të gjitha llojeve Edi Rama ndryshoi në mënyrë antikushtetuese, antiligjore, vullnetin e shqiptarëve, ndryshoi rezultatin e votimit.
Raporti paraprak, vë gishtin në problemet më madhore të këtyre zgjedhjeve, duke filluar nga makineria shtetërore elektorale, si një përbindësh shkatërrimtar i procesit zgjedhor, si një akt që përmbys barazinë në këto zgjedhje.
Ndalet në të gjitha format antiligjore të ndërhyrjes ndaj vullnetit të qytetarëve nga qeveria, nënvizon blerjen masive të votës, gjer dhe presionet e tjera të administratës mafioze më e pranishme se kurrë në qendrat e votimit dhe në procesin e votimit.