Një 38-vjeçar është vënë në prangat e policisë së Borshit pasi është kapur në një zonë bregdetare duke lëvizur me një armë zjarri. Bëhet fjalë për Bledar Likajn, i cili qarkullonte i armatosur pa leje.
Policia ka sekuestruar arma e zjarrit pistoletë dhe 2 krehra me dhjetëra fishekë në to.
Njoftimi i Policisë:
Borsh, Himarë/Intensifikim kontrollesh në zonat bregdetare të qarkut, për ndalimin e shtetasve që posedojnë sende të kundërligjshme dhe që mund të cenojnë rendin dhe sigurinë publike, gjatë sezonit turistik.
Lëvizte në zonë bregdetare, me pistoletë me vete, të cilën e mbante në tejkalim të autorizimit, vihet në pranga 38-vjeçari.
Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë dhe 2 krehra me dhjetëra fishekë në to.
Në vijim të kontrolleve intensive në të gjithë vijën bregdetare të qarkut, nga grupe të përbashkëta të Komisariatit të Policisë Himarë, DVP Vlorë dhe FNSH-së, me qëllim garantimin e një sezoni turistik të qetë dhe të sigurtë, si dhe për identifikimin dhe ndalimin e shtetasve që mund të shkaktojnë problematika, kanë ndaluar për kontroll automjetin tip “Honda”, në të cilin udhëtonte shtetasi B. L.
Gjatë kontrolleve, në çantën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri pistoletë të llojit “Sig Sauer” dhe 2 krehra me rreth 30 fishekë në to, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Nga verifikimet rezultoi se shtetasi B. L. e mbante armën në automjet, në tejkalim të autorizimit që kishte për mbajtjen e saj vetëm në banesë.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë arrestuan në flagrancë shtetasin B. L., 38 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.