Në një nga periudhat më të errëta në historinë e njerëzimit, Luftën e Dytë Botërore, shqiptarët u dolën në mbrojtje hebrenjve, duke i fshehur në familjet e tyre, për t’i shpëtuar nga gjenocidi nazist. Shqipëria është vendi i vetëm në Evropë, ku numri i hebrenjve pas luftës ishte më i madh se para saj, nga 200 para Holokaustit në rreth 2 mijë, pas luftës. Në mesin e hebrenjve të shpëtuar në Shqipëri ishte edhe Johanna Jutta Gerechter [Numann] dhe familja e saj. Zëri i Amerikës bisedoi me djalin e zonjës Gerechter, Benjy Neumman dhe familjarët e Njazi dhe Lisa Lotte Pilkut në Shqipëri, të cilët e kishin ndihmuar familjen e zonjës Gerechter.
Kjo fotografi është realizuar në gusht të vitit 1942, në fshatin Shkozet, në afërsi të Durrësit.
Vajza, që shihet në të është 11 vjeçarja, Johanna Jutta Gerechter.
Pas fillimit të Luftës së Dytë Botërore, më 1939, ajo dhe familja e saj u detyruan të largohen nga Hamburgu, për t’u shpëtuar nazistëve dhe shkuan në Shqipëri.
Gjatë kohës kur Shqipëria ishte nën pushtimin italian, vendi ishte shndërruar në një parajsë për hebrenjtë, kujton djali i zonjës Gerechter, Benjy Neumann.
“Shqiptarët ishin shumë mikpritës. Hebrenjve u gjetën punë, familjes tonë si rrobalarës. Gjyshi im vizatonte simbole për bizneset. Në Shqipëri gjetën një mënyrë për të mbijetuar”, thotë ai për Zërin e Amerikës.
Por, më 1943, pasi gjermanët pushtuan Shqipërinë, situata ndryshoi.
Megjithë rrezikun e madh, shqiptarët vazhduan t’i strehonin fshehurazi hebrenjtë.
“Holokausti na kujton një moment shumë të errët në historinë e botës. Nuk e di se me çfarë mund të krahasohet. Pastaj shohim një dritë shprese në Shqipëri. Qeveria dhe udhëheqësit fetarë bënë pjesën e tyre. Por ishin edhe vetë nerëzit. Ata besonin se duhej të kujdeseshin për mysafirët. Shtëpia e tyre është shtëpi e Zotit. Të gjithë jemi fëmijë të Zotit, pa marrë parasysh besimin fetar. Kjo është pjesë e kulturës shqiptare. Shqiptarët, myslimanë, apo të krishterë, dhanë besën dhe bënë gjënë e duhur”, thotë zoti Neumann.
Ai shprehet mirënjohës ndaj familjeve shqiptare, sidomos ndaj asaj të Njazi Pilkut dhe bashkëshortes së tij gjermane, Lisa Lotte Pilku.
Ishte origjina gjermane e zonjës së shtëpisë, ajo që ndihmoi Johanna Jutën dhe familjen e saj t’i mbijetojnë Holokaustit në Shqipëri, thonë për Zërin e Amerikës pasardhësit e familjes Pilku.
“Në një rast kur mamaja e Jutës së bashku me Jutën ishin në breg të detit, u ndaluan nga gjermanët. Ato e flisnin shumë mirë gjermanishten, sepse atje kishin jetuar. Mbrojtja e gjyshes ishte se ata janë kusherinjtë e mi nga Gjermania”, thotë Ortenca Pilku, mbesa e Njazi dhe Lisa Lote Pilkut.
Elmaze Pilku, bashkëshorte e të birit të Njazi dhe Lisa Lote Pilkut
“Po të diktohej që mbronte hebrenjtë, do ta pësonte, mund të vritej…”, thotë Elmaze Pilku, bashkëshortja e të birit të Njazit dhe Lisa Lote Pilkut.
Zoti Neumann thotë se këtë histori e tregon vazhdimisht, që popujt e tjerë të mësojnë nga humanizmi i shqiptarëve në atë periudhë.
“Sepse vërtet besoj se shqiptarët janë një shembull që duhen ndjekur. Në veçanti kur flas me fëmijët në shkollë të mesme, ky është mesazhi im për ta. Mos u fshihni pas të tjerëve. Mund të jeni udhëheqës. Shqipëria ishte një vend i vogël, por që u ngrit kundër nazistëve dhe bëri ndryshimin”, thotë ai.
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, më 1945, Shqipëria ra në duart e partisë komuniste. Familja Gerechter u detyrua të largohet në drejtim të Shteteve të Bashkuara.
Për vite me radhë zonja Gerechter u përpoq të kontaktonte me familjen Pilku, por pa sukses. Shqipëria ishte mbyllur si pasojë e një prej regjimeve më brutale në botë.
Prandaj, deri vonë ajo nuk dinte se pak pas largimit të familjes së saj nga Shqipëria, diktatura komuniste e pushkatoi humanistin dhe inxhinierin, Njazi Pilku.
“Enver Hoxhës nuk i levërdisi, sepse nuk i donte të zgjuarit dhe më 9 janar më 1945 e pushkatoi”, thotë Elmaze Pilku, bashkëshortja e të birit të Njazi dhe Lisa Lote Pilkut.
“Për pushkatimin e gjyshit tim Juta mori e vesh në momentin kur erdhi në Tiranë dhe ka qenë shumë e trishtuar. Imagjinoje pas 46 vitesh, ajo ka kuptuar se gjyshi im është pushkatuar”, thotë për Zërin e Amerikës Ortenca Pilku, mbesa e Njazi dhe Lisa Lote Pilkut.
Zonja Gerechter vdiq në prill të vitit 2017. Kujtimet e saj, ajo i la në një libër me titull “Ikja në Shqipëri: Kujtimet e një vajze hebre nga Hamburgu”.
Kontaktet mes familjarëve të saj dhe asaj Pilku në Shqipëri vazhdojnë.
“Mirënjohja e atyre njerëzve, dashuria që ata dhanë, unë nuk di të shpjegoj dhe çfarë të them për popullin izraelit, popullin hebre. Një ngjarje që kishte ndodhur rreth viteve ’43-’44. Nuk e kishin harruar atë që kishin bërë gjyshërit e mi. Janë gjëra që ndodhin shumë rrallë”, shton zonja Pilku.
“Është një lidhje e fuqishme që është krijuar nga ata, por që ruhet edhe tani. Kjo është ajo që ndjejmë ne për Shqipërinë. Është vendi i duhur për të qënë, nëse je në vështirësi”, thotë zoti Neumann.
Më 1998 familja Pilku u bë pjesë e listës së personave që nderohen nga shteti i Izraelit për shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit.
Në këtë listë bëjnë pjesë 75 familje shqiptare, por numri i atyre që ndihmuan besohet të jetë shumë më i lartë./VOA