“Sigurisht do ngrihemi, do ngrihemi në një lëvizje të fuqishme kundër armikut më të egër të lirisë së shqiptarëve që tashmë është i njohur Edi Rama dhe qeveria e tij. Kam besim se demokratët janë të gatshëm, se mbi 500 mijë idealistë që në këto kushte qëndruan të pamposhtur do t’i japin kthesë vendimtare vendit”, tha Berisha.
Në takimin e sotëm me kryetarët e degëve, kandidatët e opozitës në zgjedhjet lokale si dhe kryetarët demokratë në disa bashki të vendit, Sali Berisha përshëndeti rezolutën e Parlamentit Europian.
Sipas tij, në rezolutën e miratuar më 24 Maj janë paraqitur problemet më madhore të vendit.
“Së pari ju përshëndes përzemërsisht të gjithë drejtuesit dhe kandidatit e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për përpjekjen e madhe që bëtë në një fushatë në kushtet më të pabarabarta. Përgëzoj ata kandidatë që morën mandatin për kryetarë bashkie. Falënderoj nga zemra të gjithë ekipet e kandidatëve, të gjithë anëtarët dhe të gjithë ata që u angazhuan për suksesin e kandidatëve tanë në këtë betejë më të pabarabartën e zhvilluar ndonjëherë.
Para se të ndalem në problematikën për të cilën është thirrur kjo mbledhje, dëshiroj në emër të PD të falënderoj Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian, i cili miratoi më 24 maj një rezolutë për Shqipërinë, rezolutë në të cilën janë pasqyruar problemet madhore të vendit, ndaj dhe unë po lexoj deklaratën e mëposhtme.”
Ish-kryeministri theksoi se PE është ndalur në disa pika si: Porti i Durrësit, liria e medias dhe pastrimi i parave në Shqipëri. E për 14 Majin, Berisha citoi se Parlamenti Europian në raport shkruan se aktorët shtetërorë nuk duhet të ndërhyjnë në procesin zgjedhor.
“Javën e shkuar, Komisioni i Jashtëm i PE miratoi raportin për Shqipërinë 2022. Tekst i paraqitur nga deputetja socialiste Isabel Santos u shtua me amendamente të Partive Popullore Europiane.
Lidhur me zgjedhjet e 14 majit, raporti thekson se në Shqipëri duhet garantuar liria e partive të paraqiten në zgjedhje pa ndërhyrjen e aktorëve të tjerë shtetërorë. Ky pasazh i atribuohet PD-së. Për shkak të afateve, nuk janë paraqitur problematikat e shumta të zgjedhjeve. Parlamenti Europian kritikon vendimin për rrëzuar hetimin parlamentar për skandalin McGonigal. Parlamenti Europian është i skandalizuar me kontratën e Portit të Durrësit me një kompani nga Emiratet e Bashkuara Arabe, pasi kjo kontratë shkel MSA-në. Gjithashtu në raport thuhet se projekte si ai i Portit të Durrësit, duhet të zbatojë ligjin e prokurimeve publike. Parlamenti Europian shpreh shqetësimin për regresin e lirisë së medias dhe shprehjes. Raporti shpreh shqetësim se nuk ka progres në luftën kundër larjes së parave të krimit.
Unë dua të falënderoj shumë të gjithë deputetët e Parlamentit Europian, grupin e punës të krijuar në PD me zotin Oerd Bylykbashi, Albana Vokshi, Genc Pollo dhe bashkëpunëtorë të tjerë, të cilët në një komunikim intensiv me parlamentarë europianë, arritën të paraqesin situatën dhe problematikat.”
Në fjalën e tij, Berisha tha se kandidatët e këtij koalicioni opozitar siguruan fitoren në kushte mjaft të vështira. Lëvdatat nuk i kurseu as për këshilltarët e opozitës në bashkitë e vendit, të cilët sipas ish-kryeministrit i dhanë fund monizmit në pushtetin vendor.
“Dua të kthehemi te qëllimi i këtij takimi, ajo çka mund të them në terësi, ju si kandidatë keni bërë një punë shumë serioze, keni qenë të vetmit që paraqitët alternativë të vërtetë për problemet e bashkive tuaja, u dëshmuat njohës shumë të mirë të të gjitha problemeve, studiuat me interes të madh dhe paraqitët zgjidhje për keqqeverisjen dhe një alternativë shumë të mirë për të ardhmen. Bëtë një fushatë serioze, dinjitoze, qëndruat të gatshëm në çdo rast për transparencë dhe ballafaqim me rivalët tuaj politikë, gjë e cila kam bindjen se është një detyrim i çdo kandidati dhe çdo politikani që merr pjesë në fushatën elektorale. Në këto zgjedhje natyrisht rezultati është larg atij që pritej e ju meritonit.
Por, përsëri duhet të shtoj se beteja jonë kishte qëllimin më madhor rikthimin e pluralizmit në qeverisjen vendore pasi për fatin më të keq PD në një kontribut anti historik kishte braktisur zgjedhjet e 2019-ës. Sot në mbarë vendin, në të gjitha parlamentet lokale ka një opozitë prej qindra këshilltarësh, të cilët i përgëzoj si për punën dhe për misionin që kanë. Opozitë që i jep fund në aspektin parlamentar lokal monizmit të plotë që ekzistonte, opozitë që ka një mision shumë të rëndësishëm për të bërë gjithçka për të nxjerrë para publikut grabitjen e papërmbajtur të pasurive nga qeveritarët në kurriz të varfërimit gjithnjë e më të tmerrshëm dhe përzënies.
Nëse nuk kishim asnjë zë dhe gjerë para 14 Majit, opozitarizmi në qeverisjen vendore nuk ekzistonte, tani kjo ka marrë fund. Përveç kësaj në disa bashki, fituan kandidatët e koalicionit Bashkë Fitojmë në kushte jashtëzakonisht të vështira dhe jam i bindur se këta kryetarë bashkie do bëjnë gjithçka për një qeverisje ndryshe, me qytetarin e për qytetarin. Këto janë disa nga arritjet e kësaj fushate, por theksoj se arritja më e madhe qëndron në faktin se një përpjekje mafioze shqiptare dhe ndërkombëtare për të asgjësuar opozitën shqiptare dështoi në mënyrën më të turpshme”, deklaroi Berisha.
Teksa ka folur për gjithë procesin zgjedhor të 14 Majit dhe manipulimet që janë bërë sipas tij, Sali Berisha deklaroi se opozita do faktojë çdo pretendim.
Sipas kryedemokratit, për sa kohë qeveris Edi Rama nuk mund të garantohen zgjedhje të lira.
“Qëllimi është rikthimi i votës së lirë te shqiptarët dhe votë të lirë me Edi Ramën kryeministër nuk ka. E kemi thënë dhe do e themi, nuk do tallemi me veten tonë. Si misionarë duhet të përgatitemi krahas përpjekjeve për një analizë sa më serioze të problematikave tona të brendshme, që të ngremë partinë në një nivel tjetër administrativ, të përtërimë siç erdhët ju me primaret, të bëjmë gjithçka që shqiptarët të votojnë të lirë.
A e kemi bërë ne këtë? Jo. A e ka bërë për PD? Jo. Nëse në vitin 2021 në prill, të cilat ishin zgjedhje politike, PD do mbronte votën, do derdhej në rrugë, këto probleme që ndodhën, nuk do ndodhnin kurrë në këtë shkallë. Por PD nuk e bëri këtë. Nuk e bëri as në vitin 2019. Tani nuk mund të qëndrojmë vetëm në fushën e fjalëve. Vlerësoj çdo propozim për përmirësim maksimal të punës sonë. Por ju garantoj se me Edi Ramën, zgjedhje nuk ka. Ndaj dhe ftoj çdo demokrat, t’i drejtohet fibrës së tij politike, ndërgjegjes së tij politike, të mos harrojë këtë gjë”, deklaroi Berisha.