Ish-kreu i PD Lulzim Basha ka zhvilluar sot një takim me të rinjtë në Durrës. Sipas Bashës ka vetëm 2 mundësi që politikanët të vihen në shërbim të qytetarëve, sistemi me Lista të Hapura dhe vetting i tyre.
Sipas Bashes këto dy lëvizje janë goditje në zemër të “Trekëndëshit të Bermudës”, duke iu referuar Sali Berishës, Ilir Metës dhe Edi Ramës.
Edhe njëherë ai u shpreh se rinia nuk dëgjohet, duke e konsideruar si një nga problemet më të mëdha në vend.
Basha: Prej 2008 e deri më sot kjo sëmundje është bërë gjithnjë e më e madhe. Durrësi është rasti konkret ku kapja e bashkisë ka rezultuar shkatërrimtare për ekonominë, të një prej qendrave më të njohura në botë, që sot nuk konkurron dot as me një fshat të Kroacisë. Më parë deputetët zgjidheshin nga gara “kokë më kokë”. Por problemi që ishte me maxhoritarin, u dyfishua me proporcionalin.
Ju i njihni ata, e dini shumë mirë nga vijnë dhe si i marrin votat. Para disa vitesh u kalua një ligj i dekriminalizimit, që të mos lejonte personat me rekorde kriminale të hynin në parlament. Por ja gjetën zgjidhjen ustallarët. Fusin djalin e tyre, dhëndrin e tij dhe marrin vendime në emër të tyre. Por edhe proporcionali mund të mos funksionojë totalisht, pasi një pjesë e deputetëve i marrin votat përmes bandave dhe parave. Duhet vetting i politikanëve.
Këtë kemi propozuar të bëhet me politikanët. Politikanët që nuk justifikojnë pasurinë e tyre dhe që kanë lidhje të papërshtatshme. Nuk mund t’i përfaqësojnë qytetarët, kur janë duke vjedhur taksat me zyrtarët e korruptuar. Vetëm në këtë mënyrë do të shkurajojmë ata që e shohin futjen në politikë jo si një mënyrë për t’ju shërbyer juve, por vetes së tyre. Politika përditë me veprimet dhe mosveprimet e saj ua bën jetën më të vështirë.
Listat e hapura dhe vetting i politikanëve janë dy goditje në zëmër të trekëndëshit të bermudës. Kam parasysh një sistem të tërë që qëndron pas tyre. Servilët që ju qëndrojnë pas, se shpresojnë se do të kapin ndonjë copë. Kriminelët që mund të kryejnë edhe veprat më të rënda penale, por nuk dënohen se kanë pas politikanët.
Discussion about this post