Nga Armand Kullau
Kompanitë kanë punuar pa lejen e ndërtimit në rrugën Thumanë-Kashar. Policia e Tiranës ka deklaruar për “Fax News” se kompanitë “Gener 2” dhe “G2 INFRA” në pronësi të Bashkim Ulajt kanë marrë lejen e zhvillimit dhjetorin e kaluar duke nxjerrë bllof Ministrinë e Infrastrukturës që drejtohet nga zv/Kryeministrja Belinda Balluku. Vetë Ministria kish deklaruar më parë për “Fax News” se nuk dispononte informacione për nënkontraktorët, ndërkohë që Policia e Shtetit konfirmoi se për të dhënat për firmat që punonin, Ministria ishte në dijeni.
Cilat janë firmat që po ndërtojnë?
Në një ndër rrugët më të shtrenjta në Shqipëri “Thumanë-Vorë-Kashar”, punimet kanë filluar në 1 tetor të vitit të kaluar. Policia e Vorës ka nxjerrë listën me kompanitë e nënkontraktuara nga “Gener 2”, të cilat kanë zbuluar kompani të reja pa leje për efektet në mjedis sipas Qendrës Kombëtare të Biznesit.
Sipas këtij komisariati, “për pjesën e projektit që përfshin territorin e bashkisë Vorë, ka administruar kontratat e sipërmarrjes midis shoqërisë “Gener 2” SHPK dhe shoqërive: “BIBA-AL” SHPK, aktualisht është ndërprerë kontrata midis shoqërive dhe kjo shoqëri nuk po kryen punime; “Rraja Ndërtim” SHPK, e cila ka nënkontraktuar shoqërinë “ALEKSI CONSTRUCTION” SHPK, për punimet në kryqëzimin “Laknas –Kashar”; “Mjekra” SHPK, e cila aktualisht ka ndërprerë punimet, për shkak të procesit të shpronësimeve”.
Nga kërkimet e “Fax News” rezulton se kompania “BIBA – AL” (Ish BIBA – AL KONSTRUKSION) shpk është në pronësi të Elidon Bibës, i cili është dhe administrator. Kompania e ka qendrën në Lezhë dhe është krijuar në vitin 2019. “BIBA-AL” nuk ka asnjë lloj licence të lëshuar nga Qendra Kombëtare e Biznesit për ndërtimet.
Lidhur me saktësimin e këtyre fakteve “Fax News” kontaktoi administratorin Biba,i cili tha se më së shumti kanë kryer punime gërmimi, për të cilat nuk nevojiten licenca specifike.
“Për licencë duhet vetëm një licencë transporti. Licenca duhet për punime inxhinierike, për vepra arti. Ne thjesht kemi bërë transport çakulli, nga gurorja në Bërxullë. Punimet kryesore i ka bërë ”Gener 2”. Rreth 80% të kompanive kanë bërë vetëm punime transporti dhe ne kemi ardhur të fundit nga kompanitë aty, në mos gabohem nga 15 dhjetori”, tha Biba.
Ndërkaq, i pyetur për faktin e mungesës së lejes së zhvillimit, ai deklaroi për “Fax News” se firma e tij ka nisur punimet nga 15 dhjetori i vitit të kaluar, ndërsa leja e zhvillimit është miratuar në 14 dhjetor sipas Policisë së Tiranës.
Çfarë deklaroi Policia e Shtetit
Këtë paqartësi lidhur me lejet për punime e ka sqaruar për “Fax News” koordinatori për komunikimin me median, Gentian Mullai.
“Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, që nga momenti i parë kur banorët e fshatit Bërxullë, kanë ngritur problematika mbi këtë projekt, kanë marrë masat e nevojshme që kanë konsistuar në pritjen në takim të përfaqësuesve të banorëve të fshatit Bërxullë, të përfaqësuesve të koncensionarit “Gener 2” SHPK dhe të shoqërisë koncensionare “G2 Infra” shpk, si dhe në administrimin e Vendimit të Këshillit Kombëtar të Territorit nr. 09, të datës 14.12.2022, “Për miratimin e Lejës së Zhvillimit për objektin: “Ndërtimi i aksit rrugor Thumanë-Vorë-Kashar”, me vendndodhje në bashkitë Tiranë, Vorë dhe Krujë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Çfarë po ndodh me nënkontraktorët?
Një kompani tjetër, që rezulton në listën e Policisë si kompani e nënkontraktuar është “Rraja Ndërtim”, e cila është në pronësi të Përparim Rrajës. Por vet përfaqësuesit e “Rraja Ndërtim” kanë nënkontraktuar kompaninë “ALEKSI CONSTRUCTION”, e quajtur më parë ish “ALLMETA 02.CO” , e cila e ka ndryshuar emrin para 3 muajsh.
I pyetur nga “Fax News” se si rezultonte pa asnjë licencë të lëshuar nga Qendra Kombëtare e Biznesit, administratori i “Rraja Ndërtim”, Përparim Rraja deklaroi se ka licencë për punimet dhe lloji i punimeve është me nënshtresa. Ai tha se ata kujdesen vetëm për nënshtresat dhe nuk kanë lidhje me punimet me rrugën dhe urat.
Kur u pyet për mungesën e lejes së zhvillimit, Rraja deklaroi se ata janë të nënkontraktuar nga “Gener 2” dhe thjesht bëjnë pjesën për të cilën janë nënkontraktuar nga fituesi i projektit “Thumanë-Vorë-Kashar”. “Fax News” u interesua nëse kishte informacione se kompania “ALEKSI CONSTRUCTION” (ish “ALLMETA 02.CO) rezultonte me masë sekuestro nga Përmbarimi, administratori i “Rraja Ndërtim” tha se nuk kishte dijeni për këtë fakt.
Sipas Qendrës Kombëtare të Biznesit, ndaj kompanisë “ALEKSI CONSTRUCTION” është vendosur masa e sekuestros në 6 shtator të vitit të kaluar, e nisur nga kërkesa e avokatëve të “ADAC “ shpk pasi ka detyrime të papaguara.
Edhe pse me kapital të sekuestruar me vlerë të ulët prej 4 milionë lekësh, kjo kompani e re, e krijuar në 2021, ka marrë miratimin në heshtje nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nëse i referohemi kontratës koncesionare dhe Dokumentave të Procedurës Konkurruese. Ministria ka deklaruar se nuk ka dijeni për këto kompani, por nga korrenspondenca e “Fax News” me Policinë e Shtetit evidentohet se Ministria ka patur informacione për listën e kompanive duke e nxjerrë zbuluar këtë institucion.
Policia e Shtetit deklaroi se kompanitë nënkontraktore kanë ndërprerë punimet, por kompania “ALEKSI CONSTRUCTION” nuk ka ndalur punimet. Grupi i xhirimit të “Fax News” ishte në terren në fshatin Bërxullë në 8 qershor duke intervistuar një nga banorët e prekur nga projekti, ndërkohë kamionat dhe makineritë e rënda të “ALEKSI CONSTRUCTION” po kryenin punime në mes të ditës. Ajo që është interesante lidhet me faktin se kur ndryshoi emrin në mars, kjo kompani ka vendosur dhe adresën fizike të re në Bërxullë.
Reagimi i aktivistëve të mbrojtjes së mjedisit
Paqartësia ligjore e nënkontraktuesve apo edhe nën sekuestro ka shqetësuar ekspertët e mjedisit, pasi disa nga kompanitë nuk kanë as leje mjedisi. I informuar për llojin e punimeve që po kryenin kompanitë nënkontraktore, inxhinieri Sazan Guri sqaroi se ndërhyrjet në mjedis kërkojnë plotësimin e disa kushteve.
“Çdo ndryshim i morfologjisë së një terreni kërkon leje mjedisi dhe çdo ndryshim i morfologjisë së një relievi, qoftë tokë, ujë apo burim kërkon kërkon vlerësim paraprak të ndikimit në mjedis”, tha eksperti Guri, i cili theksoi se vlerësimi paraprak kërkon informim të publikut.
Mungesa e informimit të publikut evidentohet edhe nga raporti i Komitetit Shqiptar të Helsinkit, rrethanë e cila cënon shpronësimin e drejtë të banorëve të prekur nga projekti.
Kompania e tretë e nënkontraktuar është kompania “Mjekra” shpk, në pronësi të Ramazan Mjekrës. I pyetur për mungesën e lejes së zhvillimit dhe kohën që kishte punuar, administratori i “Mjekra” shpk refuzoi të komentonte pyetjet nga “Fax News”.
Por çfarë thonë Dokumentat e Procedurës Konkurruese për garën e konçesionit dhe kontrata e finalizuar në lidhje me nënkontraktorët?
Në Dokumentacionin e Procedurës Konkurruese evidentohet se kompanitë që do bëjnë ofertën për të fituar tenderin (kontratën Thumanë-Vorë-Kashar), duhet të dorëzojnë dhe listën me kompanitë e nënkontraktuara. “Fax News” kontaktoi Ministrinë e Infrastrukturës për listën e kompanive të nënkontraktuara, por institucioni deklaroi se nuk e ka listën duke sjellë shpjegime me anë të kontratës koncesionare.
Në fakt, kontrata konçesionare ka një faqe specifike për nënkontraktimin. Kështu, në pikën 10.2 të kontratës koncesionare shkruhet qartësisht se kompania koncesionare ka detyrimin për të informuar Autoritetin Kontraktor (në këtë rast Ministrinë) për nënkontraktorët. Madje, sipas kontratës, kompania që ka marrë projektin duhet të përzgjedhë kompani që kanë përvojë dhe kushtet teknike për të realizuar këto punime.
Ndërkaq, Avokati i Popullit dhe Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, për shumë kohë nuk iu përgjigjën interesimit nga “Fax News”, duke shkelur ligjin për të Drejtën e Informimit nr. 119/2014.
I pyetur nga “Fax News” për kategorinë e tokave bujqësore, për raportin për zonën e Bërxullës, me ndërhyrjen e Komisionerit Avokati i Popullit deklaroi se ka patur mungesë transparence nga Ministria e Infrastrukturës dhe Bashkia Vorë.
“Ministria e Infrastruktures dhe Energjisë ka dërguar informacion të pjesshëm vetëm lidhur me procedurat e ndjekura nga Shoqëria Koncensionare “G2INFRA” lidhur me vlerësimin e ndikimit në mjedis të projektit pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, përfshirë dhe dëgjesat publike të zhvilluara me banorët e zonës. Bashkia Vorë nuk ka vënë asnjë informacion deri më sot”, shkruhet në përgjigjen e Avokatit të Popullit.
Ndërkohë, Avokati i Popullit deklaroi se do të dali me raport kur të ketë marrë informacionet nga institucionet duke paralajmëruar se raporti që nxjerr në pah shkeljet e evidentuara nga raporti i Komitetit Shqiptar të Helsinkit, do të vonohet përsëri.
“Fax News” kontaktoi Prokurorinë e Tiranës për kallëzimin e përcjellë nga Policia e Vorës nga banorët që kanë denoncuar “Gener 2” për dëmtim të mbjellash, por pas 7 muajsh Prokuroria deklaron se çeshtja është nën shqyrtim.
I kontaktuar nga “Fax News” në linjë telefonike për çështjen e Bërxullës, kryetari i Bashkisë Vorë, Blerim Sherra refuzoi të jepte komente.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Fax Media News” sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e “Fax Media News” në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016″