Në emisionin e sotëm në “Arbitrazh” është trajtuar denoncimi i një qytetari, që tregon një nga telefonatat që qytetarët shqiptar marrin pothuajse çdo ditë, ku duket se numrat e telefonave të tyre nuk ruhen dhe që rëndom abuzohet me ta.
Një problem ky që është kthyer në shqetësim.
I vetmi institucion që ka reaguar deri tani është Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale duke marrë në konsideratë faktet e paraqitura në emisionin “Arbitrazh” dhe të qytetarëve.
Komisioneri ka nisur një hetim administrativ për të parë përgjegjësitë e mundshme të kompanive telefonike në vendin tonë.
Biseda: Punonjësja e promocionit- Zotëri ti ke përfituar nga kompania jonë 200 mijë lekë (të vjetra) ulje për të gjithë dyshekët tonë…
Qytetari– O të ruajt Zoti! Inshallah se më kënaqe!
Punonjësja e promocionit– Ju jeni i përzgjedhur në kompaninë tonë.
Qytetari– E ku i marrë këto 200 mijë lekë (të vjetra) unë ?
Punonjësja e promocionit– Zotëri ke përfituar 200 mijë lekë (të vjetra) ulje kupton? Për të gjithë dyshekët tanë. Për shembull dysheku jonë dopio.
Qytetari– E ku kam me i marrë këto 200 mijë lekë (të vjetra) unë?
Punonjësja e promocionit– Zotëri më dëgjon nuk ke përfituar 200 mijë lekë (të vjetra), ke përfituar 200 mijë lekë (të vjetra) ulje për të gjithë dyshekët…
Qytetari– Po pra i kam fituar 200 mijë lekë (të vjetra)? Ulem unë nuk është problem.
Punonjësja e promocionit– Zotëri në qoftë se ti blen një dyshek.
Qytetari– Po.
Punonjësja e promocionit– Ti e ke përftuar atë me 200 mijë lekë (të vjetra) ulje.
Qytetari– A të ruajt Zoti me të tërë çfarë ke, faleminderit!
Punonjësja e promocionit– Si quhesh?
Qytetari– Tom.
Punonjësja e promocionit– Zoti Tom, ti je përzgjedhur nga kompania jonë dhe të gjithë dyshekët tanë nga çmimi real që është 500 mijë lekë (të vjetra) dysheku dopio, ti zoti Tom e ke përfituar me vetëm 300 mijë lekë të vjetra.
Qytetari– A je serioze a je duke u tallur me mua?
Punonjësja e promocionit– Jo, jo zotëri me të vërtetë, ne jemi një kompani, ti je i përzgjedhur zoti Tom nga kompania jonë.
Qytetar – A jeni serioze ju ?
Punonjësja e promocionit – Po, po shumë serioze, normal se jemi shumë serioze.
Qytetari – A don me ardhur të më kërkosh tek shtëpia apo çfarë?
Punonjësja e promocionit –Nuk po ju kuptoj?
Qytetari – A the je serioze?
Punonjësja e promocionit – Unë po flas për kompaninë
Qytetari – Po pra me ardh me më kërkuar tek shtëpia se unë kështu në telefon nuk di çfarë me të thënë.
Punonjësja e promocionit – Zoti Tom numri juaj është zgjedhur rastësisht nga kompania jonë
Qytetari – Ti ja paske fut numrit kot?
Punonjësja e promocionit –Jo zotëri është një përzgjedhje rastësore
Qytetari – A thashë se më njeh ti mua thash. Jo, jo mbaje 200 mijë lekë ( të vjetra) ti, me çfarë me ardh me e marr unë?
Punonjësja e promocionit –Jeni në maj të malit?
Qytetari – Jam prej Dukagjinit.
Punonjësja e promocionit –Jeni prej Dukagjini?
Qytetari – Po
Punonjësja e promocionit – Zoti Tom ju jeni familjar, jeni të interesuar për dyshek tek apo dopio?
Qytetari – Jo, jo jam I shtëpisë së fëmijës nuk jam familjar. Po familjar jam, familjar. Kam babën, nanën. Jo jam vetëm unë, jam vetëm.
Punonjësja e promocionit – Zoti Tom ti përfiton nga çmimi real që është 500 mijë lekë ( të vjetra), ti e përfiton dyshekun dopjo 300 mijë lekë ( të vjetra).
Qytetari – Me ca me e prue, mua 200 mijë lekë ( të vjetra)më merr furgoni me e prue deri në Dukagjin.
Punonjësja e promocionit –Po ta sjellim neve pa problem.
Qytetari – A ma sjell ti a?
Punonjësja e promocionit – Ta sjell kompania jonë
Qytetari – A je duke u tallur a e ke seriozisht?
Punonjësja e promocionit – Jo zotri e kam shumë seriozisht
Qytetari – Vallahi më kënaqe a ma bjen deri tek shtëpia?
Punonjësja e promocionit – Po jua sjellim ne. Keni asfalt ju atje?
Qytetari – Jo, jo veç kal kemi, kal me karrocë.
Punonjësja e promocionit – Zoti Tom më dëgjon…
Qytetari – Po ik moj vajzë, pash Zotin a nuk ke gja tjetër me bërë, po ik na le me punue, po ik moj burrneshë, ik tash se boll…
Punonjësja e promocionit – Në rregull