“Arbitrazh” ka marrë përgjigje nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale për sa i përket rolit të kompanive celulare.
Komisioneri refuzoi kërkesën e emisionit për intervistë dhe deklaroi se është duke kryer një hetim për mesazhet nga Partitë Politike dhe nuk mund të shprehet akoma për rolin e kompanive celulare.
I pyetur nga “Arbitrazh”, nëse ka pasur ankesa për mesazhet nga kompanitë celulare, Komisioneri konfirmoi shqetësimin e qytetarëve.
“Lidhur me këtë pyetje, ju informojmë se Zyra e Komisionerit ka administruar dy ankesa, përkatësisht në datat 12.05.2023 dhe 15.05.2023, ku ankuesit pretendojnë se përgjatë periudhës së fushatës zgjedhore, kanë marrë masa mesazhe në telefoninë e lëvizshme, për qëllime politike.
Zyra e Komisionerit duke marrë në konsideratë sensibilitetin e këtij rasti, fillimisht është investuar për identifikimin e zotëruesve të numrave që janë përdorur për mesazhet promocionale, adresat fizike përkatëse dhe nëse rezulton që këto numra të jenë në përdorim të një subjekti tregtar apo subjekti zgjedhor.”
“Arbitrazh” e pyeti Komisionerin për rolin e kompanive celulare në këtë rast, i cili nuk ngurroi të përgjigjej pyetjeve me shkrim.
“Zyra e Komisionerit me urdhrin nr.77, datë 29.05.2023 ka nisur një hetim administrative për zgjidhjen e rastit. Sikurse në cdo rast tjetër, edhe në këtë rast, në përfundim të hetimit administrative, vendimmarrja e Zyrës së Komisionerit do të bëhet publike në faqen zyrtare.”
Për mesazhet politike që erdhën gjatë fushatës, Arbitrazh pyeti qytetarët të cilët konstatuan se ishin ndjerë të shqetësuar, por që nuk kishin ku të ankoheshin.