Nga Silvana Loka-Kola, psikologe
Ky është një sugjerim që gjithnjë e më shumë e shoh të serviret si një formulë që siguron qetësi mendore dhe shpirtërore dhe të garanton që nuk do të prishësh raportet me askënd.
Pyes veten: “E pse nuk u dashkan marrë personalisht gjërat? Ç’është gjithë kjo stepje për ta trajtuar si ‘personal’ një mesazh që të është drejtuar personalisht ty?”
Nëse dikush më drejtohet mua personalisht me një pyetje, koment, mimikë apo çfarëdo formë tjetër komunikimi, siguri që do ta marr personalisht, dhe sa më personalisht të jetë e mundur madjé. Për dy arsye shumë të thjeshta:
Së pari, sepse qenia ime vlen të trajtohet personalisht nga gjithë të tjerët që duan të komunikojnë me të. Vetja ime është e vetmja vete që kam dhe si e tillë meriton që unë ta trajtoj me eksluzivitetin dhe rëndësinë që i takon.
Së dyti, sepse njeriu përballë meje meriton të trajtohet personalisht, ai vetë dhe gjithçka që ai komunikon. Gjithçka që tjetri thotë apo bën, meriton të trajtohet personalisht, sepse unë zgjedh t’iu jap vlerë njerëzve me të cilët rrethohem, edhe kur ata nuk e kanë aspak si qëllim vlerën e tyre.
Si i bëhet kur ajo që të thuhet, të lëndon, të fyen, të frikëson, të ngjall neveri apo të provokon gjithëfarë ndjesish të vështira për t’u anashkaluar? Me formulën “Mos e merr personale!” mjafton t’i thuash vetes se njeriu përballë teje po lufton betejat e veta dhe ti ishe thjesht njeriu ku ai u shkarkua dhe kështu, ty nuk ka asgjë që ‘ta prish terezinë’. Kështu, si u tha, si nuk u tha, nuk bën asnjë ndryshim.
Çfarë zgjedh unë? Unë zgjedh ta marr personalisht gjithçka që më thuhet sepse e marr personalisht gjithçka që ndjej, në këtë rast, atë që ndjej si pasojë e saj që po më thuhet. Ajo që unë ndjej është personale dhe unë dua ta ndjej deri në fund.
Në fund të fundit nuk ka fort rëndësi se kush ishte dhe çfarë më tha.
Për mua, e rëndësishme dhe tejet personale është të kuptoj pse ‘më vrau’ ajo që m’u tha dhe përse u ndjeva pikërisht ashtu nga njeriu që ma kumtoi atë mesazh.
Përgjigjet e këtyre pyetjeve më ndihmojnë të kuptoj më shumë për veten dhe nuk mund të ketë asgjë më personale sesa kaq…