Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, i është lutur presidentit serb Aleksandër Vuçiç që të lirojë tre policët e Kosovës.
Ai këtë lutje e bëri gjatë konferencës së përbashkët në përfundim të vizitës së tij në Beograd. Vuçiç, nga an tjetër, u habit me kërkesën publike të hungarezit.
Orban u shpreh se është e papranueshme që bashkësia ndërkombëtare vendosi të njoh zgjedhjet në katër komunat veriore me pjesëmarrje kaq të ulët.
“Mendoj se është e papranueshme që bashkësia ndërkombëtare të pranojë një zgjedhjet me pjesëmarrje rreth 4% si zgjedhje të ligjshme dhe rezultate ligjore. Ne hungarezët e shohim këtë dhe na është e qartë, këtu është ky rasti, këta tre policë të Kosovës, ju lus me respekt, i nderuari president Aleksandër, të mendoni mirë për këtë, armiqtë e Serbisë mezi presin t’ju bëjnë keq, të dëmtojnë Serbinë, dhe kjo është një situatë e tillë, një temë e tillë në të cilën mendoj se do të ishte mirë të dëgjoni rekomandimin e Hungarisë, për t’i kthyer këta tre shqiptarë në Kosovë. Unë mendoj se kjo do t’ju ndihmonte që kauzën tuaj ta përmisoni, prandaj ju lutemi të mendoni për këtë”, deklaroi Orban.
Ish-ministri i Millosheviçit, Vuçiç, që njëherë tha se nuk e priste këtë kërkesë, premtoi se do të shqyrtojë me shumë kujdes çdo këshillë të kryeministrit hungarez që e cilësoi mik.
“Nuk e dija që do të dilnin sot publikisht me këtë iniciativë, por i jam mirënjohës sepse e shihni, unë mund të flas hapur për këtë, nuk e kam problem, kjo është puna e organeve kompetente, faleminderit për shqetësimin tuaj. I dashur mik, ne do të shqyrtojmë çdo këshillë apo kërkesë tuajën me kujdesin dhe dashamirësinë më të madhe”, tha Vuçiç.
Presidenti serb u shpreh se nuk do të bisedojë me kryeministrin e Republikës së Kosovës derisa të lirohen serbët e arrestuar të cilët dyshohen për vepra kriminale, si dhe të largohen kryetarët e zgjedhur më 23 prill e të tërhiqet njësia speciale.
“Nuk do të shkoj të bisedoj me Kurtin derisa të lirohet çdo serb i arrestuar, derisa të të tërhiqen kryetarët e rremë të dalin nga veriu, derisa policia e tyre speciale të tërhiqet dhe të ndalojë arrestimin e serbëve çdo ditë. Dhe pastaj do të diskutojmë se si në mënyrën më të shpejtë në përputhje me atë që është nënshkruar të formohet Asociacioni i komunave serbe”, vijoi Vuçiç.
Kreu i shtetit serb, Aleksandër Vuçiç, tha se Kurti në bisedime nuk e lë asnjëherë të flasë dikë tjetër por vetëm mban monologë.