Në emisionin “Arbitrazh”, është trajtuar tema shqetësuese për shumë qytetarë, kompanitë celulare dhe veprimtaritë e tyre.
Këtë herë, përveç denoncimit për komisionet që duopoli në Shqipëri ekzekuton pa marrë parasysh tarifat e larta, është dhe shqetësimi për antenat, të cilat dyshohen për shkaktim të dëmeve shëndetësore te banorët të cilët jetojnë përreth tyre.
Kjo çështje është diskutuar nga deputetët në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin.
Xhelal Mziu: Kemi tarifa të shtrenjta për celularët.
Kryetari i AKEP, Tomi Frashëri: Kemi tarifa më të larta në Rajon.
Xhelal Mziu: Kemi problemin e antenave për shëndetin.
Agron Duka: Pse nuk zgjidhet ky problem nga kompanitë miliardere që fitojnë kaq shumë?
Frashëri: Rrezatimi i antenave celulare është përgjegjësi e Ministrisë së Shëndetësisë.
Frashëri: Telefonatat nga marketingu janë përgjegjësi e Komisionerit.
AKEP hesht për tarifat e larta nga kompanitë celulare dhe ia ngec përgjegjësinë për rrezikun nga valët e antenave Ministrisë së Shëndetësisë.
Ka qenë kjo deklarata e bërë nga deputeti i Partisë Demokratike, Agron Duka, të enjten e kaluar në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin ka shigjetuar kompanitë celulare “One Albania” dhe “Vodafone”, që nuk marrin masa për antenat që dëmtojnë shëndetin e qytetarëve nga rrezatimi pasi gjenden kudo në zonat e banuara. Por kritikat më të ashpra, Duka i ka patur për deklaratat e Kryetarit të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Tomi Frashëri, i cili ka shmangur përgjegjësinë për antenat.
Problemi me antenat ishte në fokusin kryesor të deputetëve, e cila përveç rrezikut të shëndetit mbart dhe rreziqe të tjera.
Për sa i përket përgjegjësisë për rrezikun që vijnë nga antenat, Kryetar i AKEP, Frashëri ia ka pasuar përgjegjësinë institucioneve të lidhura me Shëndetësinë.
Gjithashtu Frashëri theksoi se problemi me vendosjen e antenave lidhet me Komisionin e Mbrojtjes nga Rrezatimi, institucion në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, e cila drejtohet nga Ogerta Manastirliu pasi ato kanë lejen si dhe me institucione të tjera.
Megjithatë problemi kryesor që ka evidentuar emisioni “Arbitrazh” janë tarifat e larta që aplikojnë kompanitë celulare “One Albania” dhe “Vodafone Albania”.
Problemin me tarifat e larta nga këto kompani e ka ngritur dhe deputeti i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu.
Tomi Frashëri e pranoi në mbledhjen e Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, problemin me vlerën e tarifave nga kompanitë celulare “One Albania” dhe “Vodafone Albania”.
Sipas raportit të EUROSTAT për 2021, shqiptarët janë populli më I varfër në Europë, ndërkohë që vazhdojnë të kenë tarifat më të larta në rajon.
Një ndër shqetësimet që kishin qytetarët ishin dhe telefonatat dhe mesazhet nga kompani reklamash.
Ky problem u ngrit dhe nga deputetët e opozitës, të cilët vunë theksin tek mesazhet promocionale.
Për këtë çështje, Kryetari i Akep, Tomi Frashëri deklaroi se nuk është përgjegjësi e AKEP-it, por e institucioneve të tjera që merren me mbrojtjen e të dhënave personale.
Në fakt, para disa javësh “Arbitrazh” kontaktoi Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale për problematikat me mesazhet që vinin telefonat celularë të qytetarëve.
Komisioneri refuzoi të jepte intervistë dhe deklaroi se kanë nisur një hetim për problemin e mesazheve gjatë fushatës politike të 14 majit. Për “Arbitrazh”, Komisioneri deklaroi se është ende herët për të thënë dicka në lidhje me rolin e kompanive celulare me mesazhet që vijnë nga numrat e panjohur për cështje marketingu.
“Arbitrazh” kontaktoi Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare për duopolin e kompanive celulare “One Albania” dhe “Vodafone “, për rritjen e menjëhershme të tarifave për paketat minimale me 20% njëkohësisht, por AKEP shmangu përgjegjësinë.
“Për sa i përket ndërhyrjes në rregullimin e cmimeve të paketave të ofruara në tregun mobile, sqarojmë se AKEP dhe asnjë nga rregullatorët e vendeve të Bashkimi Europian, ashtu si vendet e rajonit, nuk e përfshijnë tregun e shërbimeve celulare me pakicë në listën e tregjeve të rregulluara ex-ante dhe si i tillë AKEP nuk ndërhyn në rregullimin e çmimeve në këtë segment tregtimi”
Ajo që është më problematike është fakti se “Arbitrazh” provoi mungesën e transparencës nga kompanitë “One Albania” dhe “Vodafone”, e cila është e detyrueshme sipas rregullores së miratuar nga AKEP, por ky I fundit iu referua një tjetër rregullore me Nr. 27 datë 21/09/2012 “Mbi publikimin e informacionit për tarifat si dhe kushtet e aksesit dhe përdorimit të shërbimeve të komunikimeve elektronike publike”.
Për “Arbitrazh”, AKEP deklaroi se bashkëpunon dhe shkëmben informacione me Autoritetin e Konkurrencës për çështjen që lidhen me konkurrencën dhe paketat e kompanive celulare.
Por edhe pse “Arbitrazh” i ka përcjellë shqetësimet e qytetarëve për rritjen e menjëhershme të çmimeve nga kompanitë celulare “One Albania” dhe “Vodafone”, Autoriteti i Konkurrencës nuk ka hapur asnjë hetim dhe nuk ka dalë me asnjë vendim për rastin në fjalë.
Deri në publikimin e këtij materiali, Autoriteti nuk ka kthyer asnjë përgjigje për investigimet e kryera nga “Arbitrazh”.