Policia shqiptare duket e pafuqishme për të vepruar ndaj familjarëve të politikanëve, edhe kur ata janë autorë të ngjarjeve të rënda, me pasoja për jetën e qytetarëve. I tillë është dhe rasti i shtetasit Xhalal Rraja, vëllai i deputetit Rrahman Rraja, i cili ka qenë autor dhe iniciator i një dhune makrabre gjatë pasdites së djeshme, në drejtim të dy qytetarëve të pafajshëm në Borizanë.
Kushërinjtë Bilbil dhe Jashar Maja, u dhunuan barbarisht nga të paktën 10 anëtarë të fisit Rraja, për shkak se kishin ngritur vazhdimisht zërin për dëmet e parikuperueshme në banesat e tyre, si pasojë e shpërthimeve në një gurore, në pronësi të Përparim Rrajës.
I gjithë publiku është bërë sot dëshmitar i dhunës makabre që anëtarët e fisit Rraja kanë ushtruar në drejtim të kushërinjve Maja, me shkopa bejsbolli, ndërsa Xhelal Rraja, pas thirrjeve që bënte për ti vrarë është shfaqur me pamje duke mbajtur pistoletën në dorë, e duke ua drejtuar në kokë viktimave të dhunës.
Pas ngjarjes ai u shoqërua nga policia e Krujës, dhe më pas në rrethana të panjohura është lënë i lirë, duke u shpallur po sot në kërkim. A nuk pati kohë policia e Krujës që fillimisht të administronte pamjet filmike dhe më pas të kryente lirimin e tij….
Gjatë ditës së sotme aksioni që ka çuar në pranga disa persona, është kryer me mbështetjen e FNSH-së dhe të forcave RENEA, pasi policia lokale duket e pafuqishme për të vepruar përballë fisit Rraja, edhe për shkak të mbështetjes politike që ata gëzojnë, duke qenë se një prej tyre është pjesë e Kuvendit, duke dhënë edhe vota për iniciativat ligjore.
Gjatë ditës së sotme policia ka arrestuar shtetasit Ineidi Rraja, Eni Kullaj, Kujtim Përdaku, Andi Rraja, të gjithë pjesëmarrjes në aktin e dhunës, pas pamjeve filmike që u bënë menjëherë virale.
Ajo që e bën paradoksale të gjithë këtë histori, ku nuk kalon më shumë se një muaj ku një anëtar i fisit Rraja të mos përmendet në lajmet e kronikës së zezë, është fakti që socialistët mbajnë në gjirin e tyre si deputet, Rrahman Rrajën, ndërkohë që vëllezërit, djali apo nipërit e tij kryejnë krime, në shumicën e rasteve që kanë mbetur pa u ndëshkuar.
Majde, madje, Rrahman Rraja, ishte caktuar nga protokolli i kryeministrisë për të ndjekur nga vija e parë ish-presidentin amerikan Bill Clinton.
Ndër rastet më të rënda të implikimit të anëtarëve të fisit Rraja, përveç dhunës gjatë ditës së djeshme, ku njëri prej kushërinjve Maja ndodhet në gjendje të rëndë për jetën në spitalin e Traumës në Tiranë, është padyshim implikimi i Redjan Rrajës në atentatin ndaj prokurorit të Durrësit Arjan Ndoja, ku mbeti i vrarë shoferi i tij Andi Maloku. Po nuk mund të lëmë pa përmendur rastin “Xhisiela Maloku”, apo tërheqjen zvarrë të një vajze tjetër nga djemtë e Rrajave.
Sa i takon çështjes së gurores, me dhjetëra herë banorët e Borizanës kanë denoncuar edhe në Fax News, me pamje dëmin në banesat e tyre si pasojë e shpërthimeve të fuqishme në gurore, të cilës në shkelje të çdo ligji, i është dhënë leja e shfrytëzimit, edhe pse ndodhet shumë pranë qendrave të banuara.
Gjatë ditës së djeshme një prej kushërinjve të dhunuar foli në Fax News, në lidhje me dhunimin barbar që iu bë atyre, për shkak se në lokalin ku ndodhi akti, kishin takuar personin që vendoste mina në gurore dhe në mirëbesim i kishin kërkuar që të shihte mundësinë që të ulej niveli i shpërthimit.
Kaq ka mjaftuar që anëtarët e fisit Rraja ti zinin ata në pritë duke i masakruar, ndërkohë që i gjithë akti i dhunës është filmuar, dyshohet po nga të afërm të tyre, për të treguar se sa ‘të fortë’ ata janë përballë njerëzve të pafuqishë.
Në një vend ku demokracia do të funksiononte, ndoshta Rrahman Rraja do të kishte dhënë dorëheqjen, në mos do të ishte shkarkuar, por në një vend si ky i yni, kryeministri bën më shumë analistin rajonal, sesa drejtimin e një qeverie që të jetë në shërbim të qytetarëve që e kanë votuar.
Pamjet video te dhunimit:
(Elsa Kallanxhiu-Faxweb.al)