I ftuar ditën e somte në studion e Faxnews, ishte Dashnor Memaj Kryetar i Shoqatës së Transportit Publik në vend.
Gjatë një interviste me gazetaren Xhilda Kondi, ai foli për kushtet në të cilat ndodhet transporti publik në vend, si edhe për mundësinë e rritjes së biletës së autobusit.
Fillimisht ai u ndal në kushtet e punës, ku u shpreh se përveç se po përballen me një krizë të mungesës së punonjësve, shumë prej tyre punojnë në kushte jo komode me orë të zgjatuar dhe pagesë jo të kënaqshme.
Sakaq, lidhur me shtrenjtimi e biletës së urbaneve, ai u shpreh se nuk përjashtohet kjo mundësi, por që duhet të ulen në një tryezë të përbashkët me përfaqësues të shteti për ta diskutuar këtë mundësi.
“Për ta sqaruar rritjen e çmimit të biletës, ajo që është thënë dhe kërkuar është indeksimi i çmimit të biletës. Kur është ndryshuar për herë të fundit çmimi i biletës , kostot e këtij sektori kanë qenë më të ulëta, ndërsa tani kanë ndryshuar. Hajde të ulemi dhe ta shikojmë, në qoftë se duhet të ulet çmimi i biletë, hajde ta ulim, në qoftë se duhet të rritet hajde ta indeksojmë. Bëhet fjalë për cilat kërkesa tona shteti na i plotëson, që edhe ne të ofrojmë një shërbim sa më cilësor. Në momentin që gjithçka përfundon në vesh të shurdhët do të kemi një shërbim jo cilësor, kushte jo komode, vonesa nëpër stacione, probleme me kondicionerët. Ne duhet të gjejmë një gjuhë të përbashkët me shtetin, pasi paketa që ata kanë ofruar nuk është afatgjate,” u shpreh Memaj.