Deputetja dhe njëherësh Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit, Flutura Açka, ka reaguar një ditë pasi maxhoranca votoi ligjin që i hapi rrugë zgjatjes së mandatit të kreut të Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi.
Me anë të një postimi në Facebook, Açka nuk i ka kursyer ironitë, ndërsa ka treguar se çfarë ka deklaruar një ditë më parë Skënder Gjinushi.
“Ju këtu shisni edhe pjeshkë!”. E kishte fjalën për bahçen e Parlamentit, ku si specialist i frutikulturës politike, e ka shëtitur plot dyzet vite. Ah të ketë gojë humusi i kësaj toke të mbarë politike të flasë! Zoti Gjinushi ka shumë të drejtë, do të marrë mandat të ri në Parlament, siç mori ilegalisht dhe në shkelje të plotë të ligjit në Komisionin e turpshëm të djeshëm”, shkruan Açka.
Deputetja në videon që ka postuar në rrjetet sociale, këmbëngul që Gjinushi të përsërisë deklaratën e tij për ‘pjeshkat’, por kreu i Akademisë së Shkencave një gjë të tillë nuk e bën me mikrofonin e hapur. “Ju përdorët një fjalë që është e papranueshme për mua nga të gjitha pikëpamjet, sa të kem unë frymë atë fjalë ju nuk mund ta përdorni në Komision. Fjala që thatë ju është e pahijshme, atë fjalë mund ta përdorni mes burrave, mbase jeni mësuar duke pirë raki të thoni çfarëtë doni”, thotë Açka në përballjen e saj me Gjinushin,
Reagimi i Flutura Açkës:
Skënder Gjinushi sot në bahçen e pjeshkëve
“Ju këtu shisni edhe pjeshkë,” tha Skënder Gjinushi (Kryetar i Akademisë së Shkencave!!!), në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Edukim dhe Mbetet e Informimit Publik më datë 11 korrik 2023.
Ishte nervoz se po i rrezikohej mandati dhe duhej të matrikullonte me saktësinë e sarkazmës së tij mushtore, punistët, gratë e bindura dhe shqytarët e oligarkëve në Komision, që të mund të ngrinte më pas në bashkëpunim me drejtuesit e Parlamentit kurthin e djeshëm: të zgjaste mandatin e tij.
“Ju këtu shisni edhe pjeshkë!”. E kishte fjalën për bahçen e Parlamentit, ku si specialist i frutikulturës politike, e ka shëtitur plot dyzet vite. Ah të ketë gojë humusi i kësaj toke të mbarë politike të flasë!
Zoti Gjinushi ka shumë të drejtë, do të marrë mandat të ri në Parlament, siç mori ilegalisht dhe në shkelje të plotë të ligjit në Komisionin e turpshëm të djeshëm.
O zonja të Parlamentit, o gra të trembura, do ta votoni ju këtë burrë si drejtuesi i Akademisë së Shkencave sot pas këtyre fjalëve për ju!
Do ta votoni ju zonja, vërtet? Do ta votoni ju, zonja Nikolla?! Ju, gruaja që drejtoni Kuvendin e Republikës së Shqipërisë dhe ku i kanë sytë mijëra gra shqiptare?! Ç’model do t’u jepni sot ju atyre grave duke votuar këtë seksist me pushtet?
Nëse po, mos dilni më të flisni për të drejtat e grave, për barazinë gjinore, mos dilni më të shisni moral kur votoni qesëndisjen tuaj nga një gojë që ju ka tallur ju, edhe ne të gjitha, zonjat e Parlamentit!
Dëgjojeni vetë, nuk guxoi ta përsërisë fjalën me mikrofon të hapur.