Ministri i Brendshëm Taulant Balla me anë të një komunikim zyrtar në Facabook, deklaron se jemi përpara një ndër situatat më të vështira të krijuara gjatë këtij viti.
Ai së bashku me kryetaren e pushtetit vendor në Laç kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje për të ndjekur nga afër situatën. Balla gjithashtu bëri me dije se një nga autorët e zjarrvënies është arrestuar.
Kujtojmë se pasditen e sotme Laçi është pushtuar nga flakët. Një zjarr i madh ka ‘ndezur alarmin’, ku janë përfshirë nga flakët 20 hektarë me pisha 30-vjeçare.
Menjëherë pasi është marrë njoftimi, për shuarjen e tij janë mobilizuar 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe një helikopter Cougar. Lajmin e ka konfirmuar ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi në Facebook.
Fillimisht u bë e ditur se helikopteri dhe zjarrfikëset e të gjitha bashkive janë angazhuar për të shuar zjarrin. Burime për FaxNews informojnë se rrezikohen varrezat e qytetit dhe dy banesa.
Një problematikë tjetër është ndihma e erës për përhapjen e flakëve dhe shpërthime granatash të cilat kanë vështirësuar punën e zjarrfikësve.
Reagimi i Ballës në Facebook:
Zjarret në vendNë Bashkinë Kurbin, në masivin me pisha pranë qytetit të Laçit, kemi një ndër situatat më të vështira të krijuar nga zjarret gjatë këtij viti. Ndërsa forcat zjarrëfikëse të të gjitha bashkive pranë Kurbinit janë urdhëruar të ndërhynë, edhe Emergjencat Civile, Forcat e Armatosura dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë janë nisur për në Laç. Policia e Shtetit ka ndalur në flagrancë njërin nga autorët e kësaj zjarrvënie (shtetasi V.H. 41 vjeç). Policia e Shtetit po bën edhe evakuimin e banorëve në zonat e rrezikuara nga zjarri.