“Ne po zgjedhim të përsërisim përjashtimin e vitit të kaluar nga praktika e zakonshme për të mos ftuar ambasadorët e Rusisë, Bjellorusisë dhe Iranit në ceremoninë e çmimit Nobel në Stokholm,” tha Fondacioni Nobel në një deklaratë.
Institucioni suedez kishte njoftuar të enjten se do t’i rikthehej praktikës së mëparshme për të ftuar ambasadorët e të gjitha vendeve të përfaqësuara në Suedi, gjë që shkaktoi një valë zemërimi.
Siç shpjegoi ai sot, vendimi i tij fillestar bazohej në besimin “se është e rëndësishme dhe e drejtë të transmetohen sa më gjerësisht vlerat dhe mesazhet që përfaqëson çmimi Nobel”. Megjithatë, reagimet e forta që rezultuan “e errësuan plotësisht këtë mesazh”.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Oleh Nikolenko denoncoi vendimin (fillestar), duke thënë se ai ngjall një “ndjenjë të madhe mosndëshkimi” nga ana e pushtetit rus.
Kryeministri suedez Ulf Kristerson e bëri të qartë dje, të premten, se nuk pajtohet me vendimin e Fondacionit , duke thënë se ai e kupton se ai “shqetëson shumë njerëz në Suedi dhe Ukrainë”.
Shumë figura të vijës së parë në politikën suedeze, duke përfshirë liderët e partive të Qendrës, të Gjelbërve, të Majtës dhe Liberalëve, kërcënuan se do ta bojkotojnë ngjarjen nëse ambasadori rus merr pjesë.
Ceremonia mbahet gjithmonë në Stokholm më 10 dhjetor, kur laureatët në mjekësi, fizikë, kimi, letërsi dhe ekonomi marrin çmimet e tyre nga Mbreti Carl Gustav XVI, e ndjekur nga një darkë zyrtare me rreth 1200 të ftuar.
Një ceremoni e veçantë organizohet në Oslo në të njëjtën ditë për dhënien e Çmimit Nobel për Paqen.
Vitin e kaluar, Fondacioni Norvegjez Nobel ftoi të gjithë ambasadorët me bazë në Norvegji në ceremoni dhe planifikon të bëjë të njëjtën gjë këtë vit.