Vangjel Shkëmbi është arrestuar pasi fshihte në banesën e tij në fshatin Potoduar të Dimalit, një kallashnikov dhe fishekë për të.
Njoftimi i Policisë: Dimal, Berat
Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me qytetarët, goditet një rast i mbajtjes pa leje të armës së zjarrit.
Sekuestrohen një armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak.
Fshihte në banesë, një kallashnikov dhe fishekë për të, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 50-vjeçari.
I arrestuari, i dënuar më parë sërish për armëmbajtje pa leje.
Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë dhe të vazhdueshëm me qytetarët, për të përmbushur objektivat e përbashkët, garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe goditjen e paligjshmërive, shërbimet e Stacionit të Policisë Dimal kanë goditur një rast të mbajtjes pa leje të një arme zjarri, rast për të cilin u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi V. Sh., 50 vjeç, banues në fshatin Potoduar, Dimal.
Gjatë kontrollit në banesën e 50-vjeçarit, Policia gjeti të fshehur një armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak, të cilat posedoheshin nga ky shtetas, pa leje. Arma dhe fishekët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.