I ftuar në studion e Fax News ishte anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Azgan Haklaj. Përballë gazetares Rovena Neziri, Haklaj foli për zhvillimet e reja në Partinë Demokratike dhe në grupin parlamentar opozitar. Haklaj u ndal tek Kuvendi i thirrur nga Lulzim Basha i mbajtur më 2 shtator në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”. Ky Kuvend për Haklaj vjen pas një momenti të gjatë apatie për PD-në, ku u bë pre e sulmeve nga grupimi i Berishës.
“Partia Demokratike që kur është krijuar ka qenë parti Euroatlantike. Partia ishte 2 vjet në këtë siuatë për shkak të shpalljes Non-Grata të Sali Berishës. Zoti Berisha tha se nuk do ta përziejë PD-në në mbrojtjen e dinjitetit të tij. E në fakt ndodhi krejt e kundërta. Partia Demokratike realizoi Kongresin e saj, ishte një Kuvend historik edhe për nga pjesëmarrja edhe nga mënyra e organizimit. Për herë të parë PD ka një projekt, një doktrinë, një platformë të qartë politike, ekonomike, juridike, kombëtare. Disa shtylla të programi të shpalosur nga Lulzim Basha. Shtylla e parë është ndarja me të shkuarën fatkeqe të PD: me ish komunistët, me ish-spiunët, me mitet e rreme, me kultet e rreme… dhe zëvëndësimi i kësaj me një statut modern siç e kanë partitë simotra të Europës.
Më datë 14 maj mbijetoi doli nga intubimi, nga apatia e gjatë gati 2-vjeçare, për shkak të sulmit barbar mediatik të trekëndëshit të Bermundës për të asfiksuar edhe Partinë Demokratike edhe kryetarin e saj. Pastaj me datën 29 korrik zgjodhi liderin me vullnet të lirë, më datë 2 shtator ndahemi përfundimisht nga e shkuara”, tha ai.
Gjithashtu Haklaj foli edhe për mbledhjen e deputetëve opozitarë të thirrur nga Gazment Bardhi ditën e djeshme. Në takim morën pjesë 43 deputetë, ku nuk munguan Sali Berisha me grupimin e tij parlamentar, së bashku me aleatët e partive të tjera. Për Haklajn këto zhvillime nga grupimi i “Rithemelimit” dhe grupimeve të tjera opozitare kanë si qëllim vetëm dëmtimin e Partisë Demokratike dhe kryetarit të saj Lulzim Basha. Sipas tij Berisha, Rama dhe Meta janë bashkë që nga viti 2008 kur u bënë ndryshimet kushtetuese me miratimin e palëve dhe ku u eleminua vota e lirë.
“Përballë nesh është “Trekëndëshi i Bermundës” që kanë bërë një Besëlidhje: për të shpëtuar veten dhe familjarët e vet dhe për të lëshuar këdo që ka bashkëqeverisur me ta. Janë bashkë që nga viti 2008, pas ndryshimeve kushtetuese, pas atentatit që i bënë institucionit të votës së lirë, duke zëvëndësuar demokracinë përfaqësuese me votë me ujdinë. Dy brinjë të “trekëndëshit” kanë qeverisur, një brinjë ka qenë në opozitë. Nga 2017 deri më 2021 ka patur një kryqëzatë ndaj Partisë Demokratike dhe ndaj zotit Lulzim Basha, për ta mbajtur dhe për të hipotekuar Partinë Demokratike. Ky sulm këto ditë i orkestruar këto ditë nga “Trekëndëshi” ishte për të shkatërruar grupin parlamentar të Partisë Demokratike të Shqipërisë”, theksoi Haklaj.
Së fundmi Haklaj u ndal edhe tek figura e Gazment Bardhit. Deputeti demokrat pati një “përplasje” në seancën e fundit parlamentare me Lulzim Bashën. Kreu i PD i mori postin e kryetarit të grupit parlamentar në Kuvend. Sipas Haklaj, zoti Bardhi ka patur si qëllim vetëm shkatërrimin e PD dhe se ai është truri i këtij shkatërrimi.
“Gazment Bardhi deklaroi: ose do ta bashkojë PD-në ose do iki nga politika. Deklaroi që me Sali Berishën iki nga politika. Gazment Bardhi është truri i shkatërrimit të Partisë Demokratike. Para zgjedhjeve të 14 majit Gazment Bardhi deklaroi që demokratët të mos dalin me 61 kandidatë. Na akuzoi ne që kërkonim 61 kandidatë dhe i kishim, se po bëjmë lojën e Sali Berishës. Në fakt ndodhi e kundërta. Nëse kandidonim me 61 kandidatë të paktën 300 mijë vota merrte Partia Demokratike. Ia hoqi të paktën mbi 150 mijë vota me lëvizjen që bëri zoti Gazment Bardhi me ujdinë që bëri me zotin Paloka. Ka patur strategji për ta mbajtur peng PD-në. Data 2 shtator është dita e çlirimit të Partisë Demokratike nga tentakulat e oktapodit të “Trekëndëshit të Bermudës”, përfundoi Haklaj.