Drejtori i Përgjitshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka bërë bilancin e deri më tanishëm te mega-operacionit të sotëm anti-drogë të mbajtur në të gjithë vendin.
Policia ka vënë deri tani 296 masa arresti me burg, mbi 300 ambiente të kontrolluara, 214 masa sigurimi të finalizuara dhe 82 persona janë shpallur në kërkim. Pjesë të arrestuarve janë pjesë e 23 grupeve kriminale.
Mega-operacioni ishte i koduar “Tempulli” pasi qëllimi është ruajtja e shkollave prej shpërndarësve të drogës dhe spaçatorëve.
Muhamet Rrumbullaku: “I nderuar zoti Ministër i Brendshëm, Të nderuar përfaqësues të mediave,
Policia e Shtetit, në bashkëpunim me institucionet e tjera që i ngarkon ligji për të garantuar sigurinë e nxënësve në shkolla, jo vetëm sigurinë fizike por dhe atë shëndetësore, si dhe për të krijuar një ambient sa më të sigurtë për zhvillimin e procesit mësimor, prej disa ditësh ka implementuar disa qasje të reja lidhur me masat e sigurisë në shkolla, nismë e ndërmarrë nga Ministri i Brendshëm.
Njëra prej masave të Paketës së re për Sigurinë në Shkolla, është intensifikimi i luftës për të parandaluar tregtimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike pranë ambienteve të shkollave, blloqeve të banimit apo të përdorimit të tyre, nga nxënës apo pjesëtarë të komunitetit, të cilët mund të bien viktimë e shtetasve që ushtrojnë këtë veprimtari kriminale.
Që nga fillimi i vitit, Policia e Shtetit është fokusuar në studimin e fenomeneve kriminale që shqetësojnë sot shoqërinë, opinionin publik dhe familjet tona.
Një ndër këto fenomene është veprimtaria e grupeve kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, e cila sjell përfitime të shumta për to, por cenon jetën dhe shëndetin e brezit të ri.
Për këtë prioritet madhor jemi sot këtu së bashku me Ministrin e Brendshëm, për të bërë prezente për ju dhe nëpërmjet jush për publikun, rezultatet e megaoperaconit mbarëkombëtar të koduar “Tempulli”, për goditjen e fenomenit kriminal të shpërndarjes së lëndëve narkotike në afërsi të shkollave, në lokale, bare, restorante, blloqe banimi etj, nga grupe kriminale apo individë me precedent kriminal.
Më lejoni që para se të bëj prezente rezultatet e këtij megaoperacioni i cili u zhvillua në të njëjtën kohë, në të gjithë territorin e vendit, dua të theksoj se Policia e Shtetit, që në fillim të vitit, ka hartuar një plan të detajuar masash, kryesisht për shkollat. Disa nga komponentët e këtij plani masash janë siguria në shkolla, garantimi i një procesi të qetë mësimor dhe lufta pa kompromis ndaj fenomeneve kriminale që kërcënojnë brezin e ri.
Gjej rastin të sjell në vëmendjen e qytetarëve, punën kolosale që është bërë në drejtim të sekuestrimit të sasive të mëdha të drogave që do të shpërndaheshin në tregun e brendshëm, në sasi të vogla.
Këtë 8-mujor janë sekuestruar 829 kg kanabis, një pjesë e saj e përpunuar në formë çokollate, 61.5 kg heroinë, 15.5 kg kokainë dhe 5.2 kg ekstazi.
Gjatë 8-mujorit të këtij viti, nga strukturat vendore të Policisë janë referuar 170 hetime proaktive për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”, nga të cilat, në bashkëpunim të ngushtë me prokuroritë respektive, janë finalizuar 38.
Gjithashtu, në kuadër të vlerësimit të informacioneve të siguruara nga strukturat operacionale të Policisë (Patrulla e Përgjithshme dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”), janë finalizuar në kushtet e flagrancës, 116 operacione, me përfshirjen e 2 ose 3 shtetasve, si shpërndarës.
Për këto hetime dhe goditje, janë arrestuar, ndaluar ose proceduar në gjendje të lirë 1541 shtetas, për shitje të lëndëve narkotike në afërsi të shkollave, në lokale nate, bare, blloqe banimi dhe në zonat bregdetare, gjatë sezonit turistik.
Krahas sasive të mëdha të drogave të forta apo të kanabisit, gjatë operacioneve janë sekuestruar mijëra doza kokaine, heroine, ekstazi, metadon, opium, fara kanabisi dhe sasi të lëndëve të tjera narkotike sintetike.
Për të mos humbur fokusin e kësaj konference, e cila ka një rëndësi të jashtëzakonshme për vetë faktin se megaoperacioni i sotëm lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen e fëmijëve tanë dhe të familjeve tona, siç është deklaruar për qytetarët, nga Ministri i Brendshëm, muaji shtator do të shënojë një ridimensionim të luftës kundër fenomeneve që cenojnë shëndetin dhe të ardhmen e fëmijëve tanë.
Gjatë këtij megaoperacioni, janë identifikuar qindra shtetas që nëpërmjet veprimtarisë së tyre kriminale, tentojnë të infektojnë tempujt e dijes në të gjithë vendin dhe për këtë arsye megaoperacioni i sotëm është vërtet një goditje e fortë kundër këtij fenomeni.
Në kuadër të 170 hetimeve proaktive te iniciuara gjatë këtij 8-mujori, janë finalizuar 32 operacione, ndërsa gjatë paradites së sotme janë finalizuar rreth 50% e hetimeve të tjera proaktive, me mbështetjen e prokurorive të Juridiskionit të Përgjithshëm në qarqet Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, Vlorë, Gjirokastër, Berat, Fier, Lezhë, Shkodër, Dibër dhe Kukës.
Iniciimi i hetimeve proaktive të përbashkëta, në bazë autorizimeve të lëshuara nga prokurorët e çështjeve në të gjithë vendin, është përmbyllur me sukses duke siguruar provat ligjore dhe duke dokumentuar përfshirjen në aktivitetin kriminal të shpërndarjes dhe shitjes së lëndëve narkotike, për një numër të konsiderueshëm shtetasish të dyshuar të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Bazuar në aktet procedurale dhe provat e siguruara nga prokuroritë e rretheve gjyqësore dhe gjykatat respektive, në të gjithë vendin:
• Janë miratuar 296 masa sigurie;
• Janë miratuar 356 vendime për kontroll banesash dhe ambientesh të tjera;
• Janë ekzekutuar 214 masa sigurie;
• Janë arrestuar ne flagrancë, gjatë kontrolleve, 19 shtetas;
• Janë shpallur në kerkim 82 shtetas;
• Pjesa më e madhe e shtetasve të arrestuar janë pjesë e 23 grupeve kriminale.
Gjatë këtij megaoperacioni janë sekuestruar provat materiale:
• Lëndë narkotike kokainë, heroinë dhe cannabis sativa;
• Armë zjarri dhe armë të ftohta;
• Automjete, celularë, vlera monetare dhe mjete të ndryshme që shërbenin për peshimin, paketimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Të dhënat e detajuara për provat materiale të sekuestruara, do të jepen më vonë, pasi në të gjithë vendin vijojnë veprimet procedurale per sekuestrimin e tyre.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm në vend, me Drejtorinë për Hetimin e Narkotikëve dhe me 12 drejtoritë vendore të Policisë, organizuan planin operacional për ekzekutimin e masave të sigurisë dhe të vendimeve të kontrollit.
Nga ky megaoperacion i zhvilluar në shkallë kombëtare, bazuar në numrin e shtetasve të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, është bërë e mundur goditja dhe shkatërrimi i 23 grupeve kriminale që vepronin qytetet Tiranë, Durrës, Korçë, Vlorë dhe Elbasan.
Në suksesin e këtij megaoperacioni, një rol të veçantë merr bashkëpunimi i ngushtë, korrekt e profesional, me drejtuesit e prokurorive të Juridiksionit të Përgjithshëm, me prokurorët e çështjeve dhe me drejtuesit e strukturave hetimore në drejtoritë vendore të Policisë. Hetime të tilla tregojnë edhe një herë se kur ka vullnet dhe institucionet ligjzbatuese bashkëpunojnë në klimë besimi, rezultatet janë gjithmonë në favor të qytetarëve dhe në dëm të krimit.
Edhe në këtë megaoperacion, ashtu si në operacione të zhvilluara më parë, vlen të theksohet shkalla e lartë e vështirësisë dhe e rrezikshmërisë, si dhe profesionalizmi dhe ruajtja e sekretit profesional dhe atij policor ishin maksimalë. Si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit falënderoj drejtuesit vendorë të Policisë dhe gjithë personelin e strukturave policore që morën pjesë në këtë megaoperacion, për përkushtimin, angazhimin dhe profesionalizmin e treguar.
Policia e Shtetit është e përfshirë edhe në hetime të tjera proaktive, bazuar në fenomene kriminale që shqetësojnë shoqërinë shqiptare, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit dhe me prokuroritë respektive, si dhe është drejt finalizimit të megaoperacioneve të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare, për të goditur fenomenet kriminale që shfaqen në të gjitha fushat.
Dua të siguroj qytetarët se Policia e Shtetit po vijon punën me përkushtim dhe me angazhim maksimal, për të krijuar një ambient më të sigurtë për fëmijët tanë dhe për mbarë shoqërinë.
Në këtë kuadër, përfitoj nga rasti që të ftoj aleatin tonë kryesor qytetarin, që të ketë besim dhe të bashkëpunojmë, për të parandaluar dhe për për të goditur paligjshmëritë, si dhe për të ndëshkuar dhe për të nxjerrë nga radhët e Policisë, cilindo punonjës policie që abuzon me detyrën dhe cenon të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve, që korruptohet dhe nuk reagon në kohë për problematikat e adresuara nga qytetarët që kërkojnë zgjidhje nga Policia.
Uroj të gjithë nxënësit në mbarë vendin, stafet pedagogjike dhe oficerët e sigurisë, një vit të mbarë shkollor.
Gjithashtu, falënderoj mediat, për bashkëpunimin dhe për oponencën.
Së bashku me qytetarët, ju ftoj të bëjmë më të mirën për të ardhmen e fëmijëve tanë, brezit të ri, familjeve tona dhe mbarë shoqërisë.
Faleminderit!”