Më 25 gusht, herët në mëngjes, një grup inxhinierësh që ndërtojnë dronë, shkuan në një pikë lançimi në Ukrainën Jugore, për të ndërmarrë një nga misionet më të guximshme ajrore deri tani, mbi territorin e kontrolluar nga Rusia: një sulm në një bazë ushtarake thellë në Krime.
Kjo u përshkrua si një provë dhe shumë nga dronët ishin prototipe eksperimentale.
Por sidoqoftë, disa prej tyre e bënë punën.
Sipas burimeve lokale, brenda bazës pati shpërthime dhe disa persona humbën jetën. Ushtarë të plagosur u vunë re duke u futur në spitalin lokal.
Kjo ishte një javë e dështuar për Kremlinin, i cili e ka të vështirë të shpjegojë pse më shumë se një duzinë dronësh goditën zemrën e Moskës, pse aeroportet kryesore u mbyllën në mënyrë të përsëritur dhe pse pati shpërthime të pashpjegueshme nëpër fabrika armësh, fusha ajrore, depo karburanti dhe hekurudha.
Më 30 gusht, Ukraina nisi sulmin më të gjerë me dronë që ka kryer deri tani në territorin rus, duke sulmuar gjashtë rajone. Në qytetin perëndimor Pskov, thuhet se dronët goditën një aeroport, duke dëmtuar katër avionë transporti.
Një burim i afërt me inxhinierët që kanë ndërtuar dronin Morok (“shpirti i errët”), i cili është një nga prototipat e dronëve të përdorur në operacionin e Krimesë, thotë se kapaciteti i ri i sulmit ajror të Ukrainës është rezultat i “farërave të mbjella shumë muaj më parë”.
Zhvillimi i dronit Morok ka qenë një udhëtim “i mrekullueshëm”: pas një lëshimi të rrezikshëm si provë disa kilometra nga kufiri rus, zhvilluesit e tij u shpëtuan për pak raketave ruse. Tani ata synojnë të rrisin prodhimin në seri të dronëve.
Morok, i shpejtë dhe i aftë për të mbajtur një ngarkesë të rëndë për disa qindra kilometra, është ndër modelet më premtuese kamikaze që po shqyrtohet nga Ukraina.
Ai është realizuar kryesisht pa financim nga qeveria, duke u mbështetur në punën e palodhur të ukrainasve dhe ndihmës së jashtme. Por ashtu si zhvilluesit e tjerë, edhe ekipi i dronit Morok tani përballet me një detyrë të vështirë për të rritur burimet.
Programi
Programi i dronëve të Ukrainës drejtohet nga nevoja. Rusia, që është një superfuqi raketore, e nisi luftën me një epërsi të qartë në kapacitetin e goditjes me rreze të gjatë.
Më vonë filloi të blinte dronë kamikazë të lirë nga Irani, me emrin Shahed. Ndërsa Ukraina nuk është lejuar që të përdorë armë të dhuruara nga Perëndimi në territor rus, kështu që ka kërkuar mënyra të tjera për t’u kundërpërgjigjur.
Një pjesë e përgjigjes ka qenë zhvillimi i raketave të reja ose ripërdorimi i atyre të vjetra: raketa e vjetër S-200 tokë-ajër, përdoret në sistemin tokë-tokë. Ndërkohë, një rrjet vullnetarësh dhe grupesh qeveritare kanë qenë në garë për të zhvilluar dronë më të mirë të prodhuar në vend.
Fushata me dronë po rritet për një sërë arsyesh. Sulmet ndaj Moskës synojnë të kenë ndikim psikologjik, duke i përballur rusët e zakonshëm me realitetin e luftës.
Por disa njerëz brenda ushtrisë ukrainase thonë se shumica e operacioneve të tyre janë të modeluara me qëllim për të mbështetur drejtpërdrejt kundërsulmin tremujor të vendit.
Pjesa më e madhe e dëmeve që shkaktojnë dronët tek armiku nuk tregohen nëpër lajme, sepse shihen si të rëndomta.
Dronët synojnë “depot e karburantit, logjistikën, depot e armatimeve dhe rrugët e shpërndarjes”, thotë “detektivi”, pseudonimi i një koordinatori dronësh në inteligjencën ushtarake të Ukrainës.
“Ne u përgjigjemi thirrjeve të brigadave tona. Ata na thonë se e dinë se ku janë ruajtur armët ruse, por nuk kanë asnjë mënyrë për t’i goditur ato dhe na luten që të ndihmojmë”.
Detektivi thotë se pjesa më e madhe e punës së kohëve të fundit është përqendruar në fushat ajrore pranë kufijve të Ukrainës.
Kjo “mund” të ketë përfshirë një sulm të fundit që goditi një bombardues strategjik TU-22M, me bazë pranë qytetit Novgorod, shton ai duke shkelur syrin.
Për shkak të kapacitetit të gjerë të mbrojtjes ajrore dhe luftës elektronike të Rusisë, çdo sulm ukrainas kërkon një planifikim të përpiktë. Ukraina ka zhvilluar algoritme që duket se funksionojnë.
Operatorët nisin në mëngjes herët (kur mbrojtësit mund të mos jenë shumë të përqendruar) dhe përdorin një breshëri sulmesh me synimin për të mbajtur të zënë mbrojtjen ajrore.
Ata mbledhin inteligjencë (shpesh nga partnerët perëndimorë) në lidhje me radarët, luftën elektronike dhe asetet e mbrojtjes ajrore. Rusia nuk mund ta mbulojë dot të gjithë territorin e saj të gjerë.
“Nëse kalon stacionet bllokuese të shtrira përgjatë 60 km në kufi, hyn në brendësi të Rusisë dhe nis loja e vërtetë”, thotë personi që ka lidhje me krijuesit e dronit Morok.
Rreth 35-40% e dronëve kalojnë në afërsi të përgjithshme të objektivit. Të dhënat e orientimit për një sulm në mënyrë që ai të jetë i suksesshëm, përpilohen nga satelitët, pajisjet gjurmuese, raportet e mediave sociale dhe agjentët lokalë.
Pengesat
Në mënyrë të pazakontë, programi i dronëve të Ukrainës nuk ka asnjë strukturë të vetme komandimi apo prokurimi. Disa organizata shtetërore, duke përfshirë të gjitha agjencitë e inteligjencës, kanë nismat e veta për dronët.
Nuk mungojnë as zhvilluesit e pavarur. Të gjithë këta komponentë janë të organizuar në qeliza që nuk komunikojnë me njëra-tjetrën.
Kjo gjë ndihmon për të pasur siguri dhe konkurrencë, por mund ta vështirësojë përmirësimin dhe prodhimin masiv. Qeveria, veçanërisht Ministria e Transformimit Dixhital, është përpjekur të përmirësojë financimin dhe të heqë burokracinë.
Por burokracia, korrupsioni dhe interesat në industrinë e armëve të Ukrainës, vazhdojnë të veprojnë si një pengesë për zhvillimin.
Disa nga operacionet që shënjestrojnë Moskën duket se janë projekte publike me qëllimin për të sjellë një prototip të caktuar në vëmendjen e shefave të prokurimeve, në vend që të kenë vlerë ushtarake.
Financat nuk janë e vetmja pengesë për rritjen. Komponentët dhe pajisjet elektronike të lira janë të vështira për t’u gjetur. Po ashtu edhe specialistët e aviacionit.
Rusia po ecën më mirë në këtë drejtim: edhe pse ka ecur përpara me ngadalësi, ajo tani ka nisur prodhimin masiv. Ndërmarrjet shtetërore ruse u kanë dhënë përparësi armëve më efektive të luftës.
Këto përfshijnë raketa lundrimi të gjithanshme KH-101; krahë për të kthyer bombat me rënie të lirë në bomba rrëshqitëse; dronë sulmues Lancet, të aftë për të hequr qafe mbrojtjen ajrore ukrainase; dhe dronët iranianë Shahed, të cilët tani thuhet se po prodhohen në një fabrikë të re në Tatarstan.
Një burim i inteligjencës ukrainase tha se Rusia ka të ngjarë të grumbullojë rezerva përpara një fushate në infrastrukturën energjetike këtë dimër.
Në vijën e parë të luftës, Rusia ka hequr përparësinë fillestare tre-me-një që gëzonte Ukraina në dronët taktikë. Të dyja palët tani janë në një nivel të barabartë në këtë drejtim, thotë një burim i afërt me komandantin e përgjithshëm të Ukrainës.
Ndërkohë, kutitë e reja të bllokimit, të vendosura në tanke dhe mjete të tjera, po ulin aftësinë e dronëve të Ukrainës për të drejtuar sulmin në pikat më të cenueshme të një objektivi.
Sipas një burimi brenda shtabit të përgjithshëm të Ukrainës, çdo përparësi teknologjike që gëzonte dikur vendi do të ishte domosdoshmërisht e përkohshme.
Të dyja palët po mësojnë nga njëra-tjetra, thotë ai, dhe inxhinieria po bëhet më e shpejtë: “Ne mësuam nga përvoja e mbrojtjes kundër dronëve rusë dhe u përmirësuam shpejt.
Edhe ata do ta bëjnë këtë”. Ukraina duhet të mendojë për mënyra të reja asimetrike për të përdorur dronët, duke përfshirë përdorimin e inteligjencës artificiale për të përmirësuar saktësinë.
Qeveria ka ofruar një linjë të re buxhetore prej 40 miliardë hryvnia (1.1 miliardë dollarë) për dronët, një shumë mjaft e madhe për një shtet si Ukraina.
Detektivi thotë se merr rregullisht falënderime nga vijat e frontit, për goditjen e fundit të suksesshme. “Ata më tregojnë se kanë kaluar dy-tre ditë pa bomba ruse”, thotë ai.
“Falënderime të tilla bëjnë që puna t’ia vlejë barra qiranë”./ MONITOR