Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se Manastiri në fshatin Banjskë në veri është “burim i sulmeve me armë zjarri” në zonën përreth.
Si pasojë e sulmeve, një zyrtar i Policisë së Kosovës është vrarë të dielën në atë pjesë.
“Sulmi ka ardhur dhe po vazhdon akoma nga njësi profesionale të përgatitura dhe me një përbërje prej mbi 30 personave, të uniformuar, të maskuar dhe të pajisur ushtarakisht me mjete të blinduara dhe armë të rënda të llojeve të ndryshme”.
Svecla ka thënë se këta persona të armatosur janë rrethuar brenda Manastirit.
“Këta terroristë janë të rrethuar nga njësite policore dhe është koha e fundit që të dorëzohen”.
Dioqeza e Rashkës – Prizrenit ka thënë pak më parë se është e shqetësuar për shkak se “një grup personash të armatosur, të maskuar, kanë hyrë në Manastirin (Banjskë) me automjet të blinduar, duke thyer portën e mbyllur të Manastirit”.
“Persona të armatosur, të maskuar, po lëvizin nëpër oborr dhe herë pas here dëgjohen të shtëna. Dioqeza dënon ashpër dhunën e hapur që ushtrohet në objektin fetar të Kishës Ortodokse Serbe, duke u bërë thirrje të gjitha palëve që sa më parë t’i japin fund konfliktit”, është thënë në njoftim, pa u specifikuar se kush janë këta persona të armatosur./ REL