Gazment Bardhi dhe Kryetarja e Komisionit të Integrimit Jorida Tabaku u takuan sot me bashkëraporterët e Këshillit të Europës për Shqipërinë. Në raportin e vitit të kaluar u theksua se konflikti në PD po dëmton interesin e vendit, për shkak se opozita ishte jo funksionale dhe nuk po luante rolin e saj të padiskutueshëm në një demokraci.
Në mesazhin e shpërndarë për takim Gazment Bardhi thekson se ka ndarë shqetësimin për nevojën e forcimit të luftës kundër korrupsionit, përmbylljen e Reformës Zgjedhore me qëllim garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, forcimin e mekanizmave parlamentar për llogaridhënien nga Qeveria, dhe iniciativën e ndërmarrë për të bërë funksionale opozitën në Parlament.
Mesazhi i plotë i Gazment Bardhi: Mirëpritëm sot raporterët për Shqipërinë në Këshillin e Europës, z. Asim Mollazada dhe z. Jonut Stroe me të cilët ndave shqetësimin mbi nevojën e forcimit të luftës kundër korrupsionit, përmbylljen e Reformës Zgjedhore me qëllim garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, si dhe forcimin e mekanizmave parlamentar për llogaridhënien nga Qeveria.
I falenderuam për qëndrimin e tyre në raportin pararendës ku theksohej se të gjitha demokracitë kanë nevojë për një opozitë që funksionon mirë dhe që siguron sistemin e duhur të kontrolleve dhe balancave të pushtetit. Në përgjigje të thirrjes së tyrë në raportin e Tetorit 2022 që Partia Demokratike të kapërcejë mosmarrëveshjet e brendshme dhe të luajë rolin e saj të rëndësishëm në qeverisjen e vendit, ku të përfshihen të gjitha palët, i informova për përpjekjet për të bërë opozitën funksionale në Parlament dhe për të kapërcyer konfliktin e brendshëm partiak, përmes ndërtimit të një axhende të përbashkët opozitare.