Në fjalën e tij nga foltorja e Parlamentit, ish-kryeministri Sali Berisha foli për ngjarjet në Kosovë duke fajësuar kryeministrin Rama si argat të Serbisë.
Ai u ndal tek krahasimi që një gazetar gjerman, Majkëll Martin bëri për Edi Ramën, duke e krahasuar me Nikolla Pashiç, kryeministrin e Serbisë në vitet 20’.
Për Berishën jemi në një moment shumë të keq pasi kryeministri shqiptar është angazhuar tërësisht me Beogradin kundër popullit dhe qeverisë së Kosovës.
Për Berishën, Rama është thjesht një argat i Vuçiç dhe një albanofob i egër. Rama zbaton vetëm urdhrat që i vijnë nga Serbia, duke përfshirë këtu edhe kërkesën për KFOR-in në veri të Kosovës apo krahasimin e saj me Donbasin.
Sali Berisha: çdo shqiptar që i thotë vetes i tillë duhet të ndjehet tmerrësisht i lënduar. Dy ditë më parë njëri nga gazetarët më të shquar të botës gjermane do të bënte krahasimin e shekullit në historinë e Ballkanit. Gazetari Majkell Martin do cilësonte Edi Ramën si kryeministrin më të mirë të Serbisë pas Nikolla Pashiç. Nuk ka në historinë e Ballkanit, në historinë e rajonit, një krahasim damkosës si ky dhe më kuptimplotë. Nikolla Pashic është kryeministri i shekullit për serbët, për kuptimin serbomadhisë, është gjithashtu më i pamëshirë, më barabar, më mizor kundër shqiptarëve. Masakra në Lumë, Manastir, Prizren krahina të tjera të Kosovës gjatë luftrave ballkanike. Autori i krimeve më monstruoze. Majkell Martin gjen Edi Ramën 100% të krahasueshëm sepse Edi Rama nga dita që erdhi në pushtet gjer më datën 25 shtator u bë avokat kryesor i të gjitha projekteve të serbomadhisë. U bë po aq armik i shqiptarëve të Kosovës dhe kombit sa Aleksandër Vuçiç. Edi Rama pas vizitës së tij në Beograd në mënyrën më persistente u angazhua për realizimin e projektit të copëtimit të Kosovës. Ai vuri në darë Kosovën vetëm për ta nënshtruar atë në një projekt që shënon vendosjen e hegjemonisë serbe edhe në shekullinë XXI. Pas 100 vitesh në rajonin e ballkanit a ka argat më të shpifur se ky njeri? A ka albanofob më të egër se Edi Rama? Edi Rama u vërsul gjatë këtij viti me tërbimin më të madh për udhëheqjen e Kosovës. Shpalli skenar imagjinar Donbasër, republika e KFOR dhe çdo gjë tjetër që e urdhëron padroni i tij në Beograd, Vuçiç. Në një kohë kur është antihistorike, jashtë çdo konteksti. Kosova nuk kufizohet me Rusinë, por Rusia e vogël kufizohet me NATO-n, jo me Ukrainën. Mendoi se me të vërtetë mund të krijonte konfliktin.