Një skemë efikase e sigurimit të katastrofave duhet të përfshijë edhe sektorin privat. Oliver Mahul, Menaxher i Programit për Financimin dhe Sigurimin e Riskut nga Fatkeqesitë Natyrore, në Bankën Boterore tha këtë javë gjatë një takimi me mediat se zgjidhja më e mirë për ngritjen e një skeme efikase të sigurimit të katastrofave është përfshirja e përbashkët e sektorit publik dhe tregut privat të sigurimeve.
Sipas tij, roli i qeverisë mund të jetë i domosdoshëm veçanërisht në fazën e parë të ndërtimit të skemave të sigurimit nga katastrofat, sidomos në vende ku depërtimi i sigurimeve vullnetare të pronës është i ulët. Por, sipas tij, një skemë e tillë nuk mund të ngrihet dhe të administrohet ekskluzivisht me burimet e sektorit publik.
Ai mendon se skema duhet të përfshijë edhe kapacitetet që ka tregu privat i sigurimeve. Kjo përfshirje mund të bëhet në disa nivele, duke përfshirë marketimin dhe shitjen e produkteve të sigurimit të detyrueshëm nga katastrofat apo trajtimin e rasteve të dëmeve. Z.Mahul nënvizoi se, edhe në rastin kur sigurimi nga katastrofat është i detyrueshëm, komunikimi me konsumatorët është i rëndësishëm, në mënyrë që të krijohet vetëdija se mbrojtja që ofron një produkt i tillë është një domosdoshmëri.
Në gusht të këtij viti, Ministria e Financave dhe Ekonomisë hodhi për konsultim publik një projektligj për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet. Projektligji parashikon detyrimin për të siguruar të gjitha banesat dhe seksionet që ndodhen brenda banesave që përdoren si njësi shitje, zyra apo për qëllime të ngjashme.
Nga detyrimi për tu siguruar do të përjashtohen vetëm ndërtesat të cilat përbëhen nga argjile/qerpiç, strukturë me fibër-kallami ose të ngjashme dhe ndërtesat me vendosje të lëvizshme ose të përkohshme.
Detyrimin për blerjen e policës së sigurimit nga tërmetet do ta kenë edhe subjektet e banesave sociale me qira, përfshirë banesat në proces legalizimi, si edhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, të cilët financojnë primin nga buxheti i tyre. Për shtresat sociale në në nevojë, primi i sigurimit të detyrueshëm do të financohet nga buxheti i shtetit.
Sigurimi do të mbulojë vetëm dëmtimet në banesë, por jo dëm tjetër pasuror (mobilet, pajisjet e brendshme, etj) dëmet në njerëz, përfshirë vdekjen, apo lloje të tjera të dëmeve.
Shuma e sigurimit ose limit i përgjegjësisë që do të sigurohet do të jetë e barabartë me kufirin e saj të detyrueshëm, i cili përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të Bordit Drejtues të Fondit Kombëtar të Tërmeteve, nëpërmjet ministrit përgjegjës për financat.
Pas përcaktimit të shumës së sigurimit, niveli i primit të sigurimit duhet të llogaritet me metodologji aktuariale, bazuar në modelin e rrezikut nga tërmetet të zhvilluar për Shqipërinë, e cila miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, mbas marrjes së mendimit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.
Në përcaktimin e primit të sigurimit, ndër të tjera, duhet të merret në konsideratë, humbja e mundshme maksimale për periudhën e caktuar të kthimit, shpenzimet e lidhura me cedimin në risigurim si dhe shpenzimet e tjera operative të Fondit Kombëtar të Tërmeteve.
Skema e sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet nuk do të përfshijë kompanitë private të sigurimeve, por do të menaxhohet nga Fondi Kombëtar për Tërmetet, i organizuar në formën e një shoqërie aksionare, në pronësi të shtetit.
Fondi financohet nga policat e sigurimit, komisionet e marra nga transaksionet e risigurimit, të ardhurat nga investimi, buxheti i shtetit, të ardhura të tjera të ligjshme si grante dhe donacione.
Qytetarët që nuk paguajnë primin e sigurimit të detyrueshëm të banesës nga tërmeti nuk do të marrin dot shërbime publike nga platforma e-albania, përfshi shërbimet kadastrale, ndërsa bizneset nuk do të marrin shërbime nga Qendra Kombëtare e Biznesit.
Ky variant i projektligjit u kundërshtua nga Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë, por edhe nga organizata të tjera biznesi, si Dhoma Amerikane e Tregtisë apo Shoqata Shqiptare e pasurive të Paluajtshme.
Siguruesit: Projektligji i propozuar sjell kosto për buxhetin dhe cenon lirinë ekonomike
Në parim, Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë u shpreh në favor të nismës për miratimin e një ligji, që synon të sigurojë banesat e qytetarëve nga rreziku i tërmetit, por ajo kundërshton modelin që propozohet në projektligj për këtë lloj sigurimi.
Projektligji i hedhur për konsultim publik nga Ministria e Financave parashikon një skemë tërësisht shtetërore të sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet. Por, sipas siguruesve, një model të tillë nuk e ndjek asnjë prej vendeve të Europës. Edhe në Turqi apo Rumani, të marra si referencë në relacionin shpjegues të projektligjit, skema nuk është tërësisht shtetërore, pasi përfshin shoqëritë private të sigurimeve si palë në shitjen e këtij produkti.
Gjithashtu, sipas siguruesve, skema e sigurimit e propozuar sjell kosto të shtuara dhe të pajustifikuara ndaj qytetarëve. Ata argumentojnë se shoqëritë e sigurimit që operojnë në treg, kanë ekspertizën, burimet njerëzore dhe infrastrukturën e nevojshme për ofrimin e produkteve të sigurimit.
Sipas tyre, krijimi i një enti apo shoqërie të re shtetërore sikurse propozohet në projektligj, do të sillte shpenzime të mëdha për ti ngritur nga e para këto kapacitete, shpenzime këto që në fund do ti transferohen qytetarëve.
Një argument tjetër që shtron Shoqata e Siguruesve është se gjetja e programeve të duhura të risigurimit nga risigurues të fuqishëm botëror, do të sillte kosto tepër më të lartë për entin/shoqërinë shtetërore, ndërsa shoqëritë e sigurimeve mbështeten prej vitesh nëpërmjet programeve të risigurimit nga risigurues të fuqishëm botërore dhe kanë aftësi të përballojnë dëme të mëdha.
Sipas tyre, këtë gjë e dëshmoi dhe reagimi shumë pozitiv që morën qytetarët që i kishin shtëpitë e siguruara në kompanitë e Sigurimit pas tërmeteve të vitit 2019.
Shoqata e Siguruesve vlerëson se përmbajtja e projektligjit ngre pikëpyetje për kushtetutshmërinë e tij, pasi cenon parimin bazë të veprimtarisë së lirë ekonomike, cenon parimin e sigurisë juridike, në lidhje me pritshmërinë legjitime që kanë shoqëritë e sigurimeve në një treg të lirë ekonomik, në kushtet kur shteti ndërhyn duke u kthyer nga rregullator të tregut në operator, si edhe cenon interesat e pronarëve të pasurive të paluajtshme që i kanë të siguruara nga tërmeti pranë shoqërive të sigurimit për periudha disa vjeçare. MONITOR