Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez foli për mediat në prag të sfidës së katalanasve me Athletic Bilbao ditën e nesërme. Për këtë sfidë tekniku do të duhet të vuajë mungesën e sulmuesit Robert Lewandowski.
“Shpresoj që ai të jetë i disponueshëm për El Classico”, shprehet Xavi. “Ai ndjehet mirë dhe është një djalë i shkëlqyer që sheh gjithnjë përpara. Ai me të vërtetë dëshiron të luajë. Është një lider i madh dhe një pikë referimi për ekipin. Çdo ditë po rikuperohet dhe po e lë pas dëmtimin”.
Xavi u ndal edhe tek shprehja “Madridizëm sociologjik” e përdorur nga presidenti Joan Laporta.
Barcelona dhe Laporta po përballen me akuza për ndikime rezultatesh tek arbitrat, që pas skandalit “Negreira”. Por për Laportan raporte të tilla janë të ndikuara nga shtypi madrilen që mbështet ekipin e Realit.
Për Xavin shprehja “Madriddizëm sociologjik” është 100% e saktë. “Jam dakord me presidentin Laporta, por kjo nuk flitet brenda dhomës së zhveshjes. Nëse shikojmë arkivat e gazetave gjejmë ligësinë, dopingun… Duhet ta shikojmë në sy realitetin. Janë destabilizuese, janë jashtë sportit. Preferoj të flas për futbollin. Edhe kur isha lojtar thuhej se merrnim doping, sepse fitonim dhe ishim në formë, këto ishin shpikjet e një gazete madrilene”, tha Xavi.