E ftuar këtë pasdite në studion e Fax News ishte ish-deputetja e Partisë Demokratike, Liljana Elmazi. Për gazetarin Egon Loli ajo komentoi zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe Samitin e Procesit të Berlinit që u mbajt në Tiranë ditën e hënë.
Sipas Elmazit liderët e BE-së dhanë mesazhin që duhet të bëhen reforma. Pra nuk u tha që të vazhdohen këto reforma, por se duhen bërë reforma nga e para që të jemi pjesë e BE-së në të ardhmen.
Liljana Elmazi: “U dha një mesazh nga liderët evropianë. 2030 duhet të jetë një vit që duhet të aderonim, por duhet të bëni reformë. Nuk u tha që të vazhdoni reforma, por duhet të bëni reforma.
Përveç interesave gjeopolitike për t’u futur vendet e Ballkanit, duhet ana ekonomike. Pra duhen reforma të tjera. Reforma ekonomike”.
Nuk ka akoma një datë kur mund të futemi në BE, pasi vendi ynë është i kapluar nga korrupsioni dhe ryshfeti. Sipas Elmazit në vitin 2012 gjatë qeverisjes së Sali Berishës kemi qenë më afër anëtarësimit në BE sesa sot. Kjo pasi kryeministri, përveç pushtetit ekzekutiv ka kapur edhe pushtetet e tjera atë gjyqësor dhe legjislativ.
Liljana ELmazi: “Nuk ka datë sepse duket me ecurinë. Jemi vendi i dytë në botë për ryshfet. Çfarë date të kërkojmë ne?! Presidenti i Kroacisë na tha se keni qenë gati për BE që në vitin 2012 , në kohën e qeverisjes Berisha. Çfarë kemi bërë këtë kohë?! Kemi ecur prapa. Mburremi me reformën në drejtësi. Kreyministri ka marrë përveç pushtetit ekzekutiv edhe pushtetet e tjera, pushtetin legjislativ, pushtetin gjyqësor.”
Pyetjes se pse liderët e BE-së legjitimojnë një qeveri të tillë ajo u përgjigj se ata nuk kanë tagër të heqin apo të vënë një qeveri apo kreyministër. Liderët e BE-së zgjedhin të bashkëpunojnë me dikë ose jo.
Liljana Elmazi: “Pse e legjitimojnë?! Nuk e kanë ata në dorë për të moslegjimtimuar një qeveri. Ata kanë bashkëpunëtor. Këtë rast bashkëpunojnë me qeverinë Rama. Nuk mund të ndërhyjnë në mënyra të tilla. Në fund të fundit është kryeministri i Shqipërisë” u shpreh ajo.