Largimi i Ardi Veliut nga Agjencia e Mbikyrjes Policore ishte tema e ditës së sotme në Fax News me të ftuarit, Arian Hoxha dhe Emiljano Nuhu. Për gazetaren Rovena Neziri ata komentuan dorëheqjen e Veliut.
Sipas Nuhut, ai ka qenë një ushtar i bindur i qeverisë, i cili ka manipuluar disa ngjarje në vend si ajo e vrasjes së Klodjan Rashës dhe vrasjes në Elbasan në 2021.
Emiljano Nuhu: Ka qenë një ushtar i bindur i qeverisë për të zbatuar urdhra, për të fshehur ngjarje kriminale që kanë ndodhur. Të kujtoj disa ngjarje. Kemi ngjarjen ku u vra Klodjan Rasha. Kemi deklaratat e drejtorit të përgjithshëm të policisë së shtetit të asaj kohe Ardi Veliu lënë për të dëshiruar që manipuloi dhe vendngjarjen, vendosi dhe një armë në vendngjarje. Edhe ish-oficeri i policisë Arbër Paplekaj po vuan një dënim të padrejtë për shkak se Ardi Veliu urdhëroi të gjithë vartësit e tij që të prisheshin provat në vendngjarje.
Edhe Hoxha ndan të njëjtin mendim duke thënë se Veliut i janë bërë favore në policinë e shtetit duke u katapultuar aty pa asnjë meritë.
Arian Hoxha: Ardi Veliut i janë bërë favore në policinë e shtetit, duke u graduar pa asnjë meritë. Është nga drejtorët e policisë që do mbahet mend si një nga shërbëtorët e bindur politikë, aspak në përputhje me përgjegjësitë dhe ligjin, thjesht e vetëm për qokat e tyre politike, në kundërshtim me ligjin.
Nuhu shton se Veliu është i përfshirë në përgjimet e aplikacionit Sky ECC. Ky aplikacion është hedhur në treg nga shërbime sekretet ndërkombëtare për të mbajtur nën kontroll terrorizmin dhe krimin e organizuar. Është e turpshme për të, që në këtë kurth ra dhe Ardi Veliu.
Emiljano Nuhu: Nga SPAK ka dalë që janë 60 persona drejtues të lartë policie që janë në përgjimet e aplikacionit dhe Ardi Veliu ka pasur detyrë t’i përjashtonte nga Policia e Shtetit. Por duke qenë se Ardi Veliu është pjesë e tyre nuk ka guximin t’i përjashtonte nga Policia e Shtetit. Të gjitha referimet e AMP-së, janë referime të policisë të nivelit zbatues, nivele që kanë jo shumë influencë me grupet kriminale. Është e turpshme që drejtues të policisë me në krye Ardi Veliu të bien në kurthin e aplikacioneve të tillë që janë hedhur në treg nga shërbime sekrete për të mbajtur nën kontroll terrorizmin dhe krimin e organizuar.
Për Hoxhën, besimi tek policia e shtetit ka rënë në nivel zero, pasi nuk ka më besim tek eprorët dhe tek lidershipi i policisë. Policia është nën urdhrat e krimit të organizuar pasi drejtuesit e saj janë bërë njësh me krimin.
Arian Hoxha: Tek policia e shtetit është zero besueshmëria tek kolegët, tek eprorët dhe tek lidershipi i Policisë së Shtetit. Duhet forcuar kjo linjë. Kemi dhjetëra e dhjetëra pozicione në policinë e shtetit, ndërkohë që askush nuk afrohet për të punuar në to. Sepse nuk mund të punojë një njeri që është normal me oficerë policie të cilët çdo ditë raportojnë, janë nën urdhrat e krimit të organizuar. Policia është nën urdhrat e krimit të organizuar pasi drejtues të saj janë bërë njësh me krimin. Nga 2014 në shumë dalje të ish-drejtuesve policie kanë ngritur këtë alarm.