Kryeministri Edi Rama mbajti fjalën e tij në eventin e mbajtur sot në Pallatin e Koncerteve të titulluar “Dita e arbëreshëve”.
Rama foli për kulturën arbëreshe dhe për emocionet e vizitës në qytetet e arbëreshëve në Itali. Në këto vizita lindi dhe ideja e një eventi të tillë. Por tashmë sipas Ramës do të ketë një bashkëpunim shumë të ngushtë institucional mes bashkive të Shqipërisë dhe komunave arbëreshe.
Arbëreshët shprehet Rama nuk e kanë tretur ende amanetin dhe e kanë ruajtur gjuhën e vjetër edhe tek fëmijët e tyre. Po punohet për ndërtimin e një programi për t’i dhënë jetë një binjakëzimi që do jetë një urë e vazhdueshme komunikimi me komunitetin e arbëreshëve.
Edi Rama: Emocioni i vizitës tek arbëreshët më ka mbetur në një raft të veçantë të kujtesës si ato librat e kahershëm të miniaturave të mrekullueshme. I kam të pashlyeshme kujtimet në sheshin e qytetit të vogël ku zbritëm, vallen e fëmijëve arbëreshë që na uruan mirseardhjen, kishën arbërore ku na mikpritën hierarkët e lartë të saj dhe pasionin dhe merakun për gjuhën që na e shprehnin në të gjitha takimet. Dhe pikërisht atje lindi dhe ideja e kësaj dite të veçantë arbëreshe. Për herë të parë mbase të 111 viteve të shtetit shqiptar, Arbëria dhe arbëreshët nuk janë për të plotësuar këtë samit. Përmes kësaj përjekjeje të përbashkët për të vendosur një gur në një rrugë që duhet ta vazhdojmë së bashku. Aty lindi dhe ideja e një shtrëngimi institucional, për të ndërtuar një proces duke ecur dorë për dorë.
Edhe pse arbëreshët janë integruar tërësisht në bashkësinë e madhe italiane të gjitha të mirat e asaj bashkësie nuk kanë tretur amanetin, e cila sot po sfidohet jo nga neglizhenca e arbëreshëve por nga koha që po sjell shumë furtuna të natyrës demografike dhe njëkohësisht po sjell të reja të paimagjinueshme deri dje për fëmijët që po kthehen në një shqetësim botëror për mësimin e gjuhës së vendit ku po jetojnë, e jo më për gjuhën e arbëreshëve është një nga gjërat e rralla të kësaj bote. Ne kemi vendosur që të hapim këtë proces që nisi me firmat që u hodhën sot këtu me kryetarin e bashkisë së Tiranës dhe një përfaqësie të komunave arbëreshe, që do vazhdojë me një binjakëzim me të gjitha komunat arbëreshe. Do të ndërtojmë një program për t’i dhënë jetë këtij binjakzimi dhe të ndërtojmë një urë komunikimi të vazhdueshëm me komunitetin e arbëreshëve.