Tre hapat e menjëhershëm që duhet të ndërmarrë Tirana në mënyrë që Greqia të pranojë hapat e ardhshëm në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në lidhje me çështjen Beleri përmbahen në një deklaratë me shkrim të depozituar dje në Komitetin e Përfaqësuesve të Përhershëm (COREPER) në Bruksel. Në veçanti, pala greke kërkon që kryetari i zgjedhur i Heimarrës Fredi Beleris të marrë detyrën menjëherë, të respektohet e drejta e tij për një proces të drejtë dhe prezumimi i pafajësisë.
Kjo është bërë më dije nga gazeta greke Kathimerini.
Ashpërsimi i qëndrimit grek sipas gazetës, lidhet me intolerancën që Tirana ka treguar këtë periudhë , por është edhe një mesazh për partneret europianë, të cilët konsiderojnë se Greqia po e bilaterizon çështjen Beleri, duke injoruar dimensionin e saj thellësisht evropian.
“Për Greqinë, situata që mbizotëron bie ndesh me vlerat tona të përbashkëta evropiane, kriteret e anëtarësimit dhe të drejtën europiane, të cilat janë të panegociueshme”, thuhet në deklaratë.
Aty theksohet edhe njëherë se çështja Beleri “përbën një shkelje flagrante të shtetit ligjor dhe të të drejtave politike të qytetarëve shqiptarë, veçanërisht të pjesëtarëve të pakicës etnike greke. Ndaj, Greqia nuk do të bjerë dakord për fazat e ardhshme të procesit të anëtarësimit, duke përfshirë miratimin e raportit të vlerësimit të standardeve të pazgjidhura.