Ish-kryeministri Sali Berisha, në fjalën e tij në Kuvendin Kombëtar të Rithemelimit u shpreh se në këtë dekadë u shkatërrua demokracia dhe pluralizmi.
Sakaq Berisha u ndal edhe te arrestimi i dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, duke e quajtur të burgosur politik.
“Sot, ne jemi përsëri në kushtet e një diktature të re, por jo ideologjike me burgje e kampe, por jemi në mobokraci, në narkodiktaturë, në të cilën njëlloj si në diktaturën ideologjike, pushtetet ndodhen në dorën e një njeriu. Ky njeri e ushtron pushtetin jo me ligje, jo me Kushtetutë, por me banda, me krime, me mafien e drogës.
Ai kalon nga mandati në mandat sepse paratë e drogës, fuqia e krimit, shndërrohen në vota, kurse vota shndërrohet në krime, në grabitje të pasurive dhe fondeve publike, në vrasje, burgosje të kundërshtarëve, korrupsion transnacional për të shkatërruar opozitën.
Shndërrohen në frikë dhe tmerr dhe këto të fundit, njëlloj si në diktaturën ideologjike, shndërrohen në votë.
Në këtë dekadë, demokracia u shkatërrua, zgjedhjet e fundit ku shqiptarët kanë votuar të lirë, kanë qenë zgjedhjet e vitit 2013.
Në këtë zgjedhje u shkatërrua pluralizmi, logoja e partisë më të madhe opozitare, partisë që përmbysi diktaturën komuniste, është konfiskuar.
Të drejtat kushtetuese të opozitës mohohen dhe një plagë e vjetër u rihap sërish, u rikthyen burgosjet politike të opozitës.
Në këtë dekadë, parlamenti u shndërrua në një karikaturë, një parlament ku opozita në një grusht shteti brenda shtetit, humbet të drejtat e saj kushtetuese, ku në seancat e tij, garda bëhet badigardë e qeveritarëve dhe buxheti i shqiptarëve kalon në 4 minuta.
Në këtë dekadë, u rikthye monizmi. Sot, ai qeveris ka më shumë pushtet edhe se diktatori i fundit komunist shqiptar, Ramiz Alia.”– u shpreh Berisha.