Gazetari i RTV Ora Elton Qyno u paraqit ditën e sotme në ambjentet e Prokurorisë së Posaçme. Ai qëndroi atje nga ora 11:00 e paradites deri në orën 17:00. I pyetur më pas se çfarë ndodhi, Qyno në ambjentet shëtpisë së tij përpara kamerave dhe në shoqërinë e avokatit u shpreh se nuk ndodhi ndonjë gjë.
Siç dëgjohet edhe nga video, prokurorët e SPAK i kanë mohuar të drejtën Qynos për të pasur një avokat, derisa ai të nxjerrë burimin dhe materialin
Atij i kanë komunikuar gjithashtu urdhrin e Gjykatës për t’i kontrolluar shtëpinë, zyrën dhe makinën. Nga ana tjetër, ai shton se i është bërë presion për të treguar burimin e informacionit të tij dhe të dorëzojë materialet, gjë të cilën gazetari ka refuzuar ta bëjë.
“Asgjë nuk më kanë komunikuar. Vetëm më kan komunikuar urdhrin e Gjykatës për të më kontrolluar shtëpinë, zyrën dhe makinën gjithashtu. Unë hyra nga ora 11:00 dhe dola nga ora 5 dhe nuk di pse duhet të ishte bërë gjithë kjo, sepse më thirrën për një urdhër ndalimi të akteve për publikimin e akteve të mëtejshme. Nga ana tjetër më thanë do të marrim një deklarim dhe pastaj duhet filluar me presione të çdo lloj forme. Për të treguar burimin dhe për të treguar kushtet dhe për të dorëzuar materialin. Në kushtet kur unë nuk e bëra një gjë të tillë u proceduam me kontroll banese”, thotë gazetari.
Qyno dyshohet se disponon materiale nga dosjet hetimore që janë nën shqyrtim nga SPAK. Prandaj prokurorët i kanë kërkuar atij burimin e nxjerrjes së sekreteve hetimore. Për marrjen e Qynos në SPAK, ka patur mjaft reagime në media, por edhe nga politika, me Sali Berishën që i ka bërë thirrje SPAK të ndal terrorin.