Ish-presidenti i Komisionit Evropian, “babai” i euros dhe personaliteti i së majtës franceze, Jacques Delors, vdiq sot në moshën 98-vjeçare, tha për AFP vajza e tij, Martine Aubry. “Ai vdiq në gjumë këtë mëngjes (të mërkurën) në shtëpinë e tij në Paris”, tha Martine Aubry, kryebashkiaku i Lille.
Pasi shërbeu si ministër i financave nën presidencën e François Mitterrand (1981-1984), Delors shkatërroi shpresat e së majtës duke refuzuar të kandidojë në zgjedhjet presidenciale franceze të vitit 1995, pavarësisht se u shfaq si favoriti kryesor në sondazhet e opinionit.
“Nuk pendohem për asgjë”, por “nuk po them se bëra gjënë e duhur”, tha ai për revistën Le Point në vitin 2021. “Doja të isha i pavarur dhe ndihesha ndryshe nga ata që më rrethonin. Mënyra ime e të bërit politikë nuk ishte e njëjtë”, kishte thënë ai.
Një përkrahës i vendosur i integrimit evropian të pasluftës, Delors shërbeu si president i Komisionit Evropian për tre mandate – më shumë se çdo mbajtës tjetër i detyrës – nga janari 1985 deri në fund të 1994.
Në Bruksel, Delors luajti rolin e arkitektit në formësimi i kontureve të Evropës moderne: krijimi i tregut të vetëm, nënshkrimi i marrëveshjeve të Shengenit, Akti Unik Evropian, krijimi i programit të shkëmbimit të studentëve Erasmus, reformimi i politikës së përbashkët bujqësore, fillimi i Bashkimit Ekonomik dhe Monetar që do të çonte në krijimin e euros.
Në mars 2020, ai u kishte bërë sërish thirrje krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së që të tregonin më shumë solidaritet në një kohë kur ata po luftonin për një përgjigje të përbashkët ndaj pandemisë Covid-19. Me think tank-et e tij, ai bëri thirrje për forcimin e federalizmit evropian deri në fund, duke kërkuar më shumë “guxim” në epokën e Brexit dhe sulme nga “populistët e të gjitha llojeve”.
Discussion about this post