Viti 2024 ka nisur me një mesazh special për të gjithë lojtarët e skuadrës së Romës. Ka qenë tekniku i ekipit Jose Mourinho që ka menduar për një dedikim të veçantë këtë fillim viti.
Portugezi u ka dërguar të gjithë lojtarëve një mesazh në “Whatsapp” duke i karikuar për ndeshjet që e presin skuadrën tani e tutje deri në mbarim të sezonit. “The Special One” ka dashur të shprehë krenarinë e tij për lojtarët që ka në dispozicion si dhe të tregojë solidaritetin e tij me tifozët dhe qytetin e Romës.
“Duhet të jemi ne dhe vetëm ne që ecim së bashku me gjithçka që kemi”, shkruan Mourinho. “Ne dhe tifozët tanë, të mrekullueshëm dhe të jashtëzakonshëm. Ne duhet të japim gjithçka për njerëzit tanë, të japim shumë dhe deri në limit. Cremonese dhe Lazio, fitorja është detyrim për të luajtur gjysmëfinalen kundër Juventusit. Ne nuk duhet të dorëzohemi, duhet të jemi të sigurtë, të bindur në aftësitë tonë dhe të jemi në gjendje t’i fitojmë këto ndeshje që do luajmë në shtëpinë tonë”, ka qenë mesazhi i trajnerit portugez.
Dje ishte seanca e parë stërvitore e Romës për këtë vit të ri. Ditën e nesërme ata do të luajnë kundër Cremoneses për çerekfinalen e Kupës së Italisë në Olimpico.